Lady Gaga thyen rekordin me koncertin falas që zhvilloi në Rio de Zhanerio

Lady Gaga bëri histori këtë fundjavë me koncertin madhështor dhe falas ‘Mayhem on the Beach’, i mbajtur në plazhin legjendar të Copacabana-s në Rio de Janeiro, ku mblodhi rreth 2.5 milionë njerëz.

Kjo e vendos eventin si koncertin e dytë më të frekuentuar ndonjëherë, duke u renditur pas shfaqjes së Vitit të Ri të Rod Stewart në vitin 1994, që tërhoqi rreth 3.5 milionë pjesëmarrës në të njëjtin vend.

Gaga tejkaloi edhe rekordin e mbajtur nga Madonna, e cila performoi në Copacabana në vitin 2024 për 1.6 milionë fansa, duke dëshmuar për ndikimin e saj të vazhdueshëm si një nga yjet më të mëdhenj globalë të muzikës pop.

Koncerti, që përfshinte një përzierje të hiteve të njohura dhe këngë nga albumi i saj më i ri ‘Mayhem’, u transmetua drejtpërdrejt në Multishow dhe TV Globo, duke tërhequr miliona shikues edhe nga shtëpia.

Sipas autoriteteve të qytetit, ngjarja gjeneroi rreth 106 milionë dollarë të ardhura për ekonominë lokale, me mbi 500,000 turistë që mbërritën në Rio për të ndjekur spektaklin, duke nxitur ndjeshëm sektorin e turizmit, hotelerisë dhe transportit.

Koncerti ishte pjesë e fushatës së qytetit ‘Todo Mundo no Rio’, e cila synon të promovojë turizmin kulturor dhe të rrisë ndikimin ekonomik të eventeve të mëdha ndërkombëtare.

Masat e sigurisë ishin në nivele të larta, me autoritetet braziliane që arrestuan dy persona përpara ngjarjes, të dyshuar për një komplot me bombë. Arrestimet u mbajtën të fshehta deri pas përfundimit të koncertit për të shmangur panikun. Shfaqja nuk pati asnjë problem dhe u mbyll me sukses.