Kjo nuk është hera e parë që Medinsky angazhohet në negociata me Ukrainën. Në vitin 2022, menjëherë pas nisjes së pushtimit rus, udhëhoqi delegacionin rus në raundet e para të dialogut për ndalimin e luftës. Bisedimet fillimisht u zhvilluan në Bjellorusi dhe më pas në Stamboll, ku më 29 mars u dhanë sinjalet e para të një afrimi të pozicioneve
Vladimir Medinsky, ish-ministër i Kulturës i Rusisë dhe aktualisht asistent i presidentit Vladimir Putin, do të kryesojë delegacionin rus në bisedimet e paqes me Ukrainën që pritet të mbahen në Stamboll. Ky takim shihet si një ndër momentet më të rëndësishme në përpjekjet për zgjidhje diplomatike të konfliktit që ka tronditur kontinentin për më shumë se tre vjet.
Medinsky, i lindur në vitin 1970 në Smela (atëherë pjesë e Republikës Socialiste Sovjetike të Ukrainës), ka karrierë të gjatë në diplomaci dhe politikë. Ai është diplomuar në Institutin Shtetëror të Moskës për Marrëdhënie Ndërkombëtare (MGIMO) dhe ka ndjekur praktikë në Ambasadën Sovjetike në Uashington. Në fillim të viteve 2000 u bë anëtar i Dumës Shtetërore dhe më pas shërbeu si ministër i Kulturës nga viti 2012 deri në vitin 2020. Medinsky njihet për promovimin e vlerave konservatore dhe për avokimin e një identiteti të fortë rus në politikën kulturore.
JO I RI NË TRYEZËN E BISEDIMEVE
Kjo nuk është hera e parë që Medinsky angazhohet në negociata me Ukrainën. Në vitin 2022, menjëherë pas nisjes së pushtimit rus, udhëhoqi delegacionin rus në raundet e para të dialogut për ndalimin e luftës. Bisedimet fillimisht u zhvilluan në Bjellorusi dhe më pas në Stamboll, ku më 29 mars u dhanë sinjalet e para të një afrimi të pozicioneve. Ukraina shprehu gatishmëri për të pranuar një status neutral ushtarak dhe për të hequr dorë nga anëtarësimi në NATO, në këmbim të garancive ndërkombëtare të sigurisë. Rusia, në anën tjetër, kërkonte njohjen e Krimesë si territor rus dhe sovranitet mbi zonat e kontrolluara nga forcat pro-ruse në Donetsk dhe Luhansk. Megjithatë, pavarësisht deklaratave optimiste të Medinskyt, një marrëveshje konkrete nuk u arrit.
KONTESTIME AKADEMIKE
Në vitin 2017, Medinsky u përball me akuza për plagjiaturë lidhur me disertacionin e tij në histori. Një grup shkencëtarësh rusë të projektit “Dissernet” e akuzuan atë për përfshirje të burimeve jo-akademike dhe për mungesë të standardeve shkencore. Edhe pse Këshilli Akademik i Universitetit Federal të Uralit rekomandoi heqjen e titullit të tij akademik, Ministria Ruse e Arsimit nuk ndërmori veprim, duke marrë mbështetje të qartë politike nga Kremlini.
KUSH DO TË JETË NË TRYEZË?
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka shprehur gatishmërinë të marrë pjesë në bisedime nëse vetë Putin është i pranishëm. Ngjashëm është deklaruar edhe presidenti amerikan Donald Trump. Por Kremlini një ditë më parë ka konfirmuar se Putini nuk do të marrë pjesë në takim. Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se do të përfaqësohen nga sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe të dërguarit specialë Steve Witkoff dhe Keith Kellogg.
TRUMPI MUND TË SHKOJË NË STAMBOLL NËSE SHEH PROGRES NË BISEDIMET UKRAINË-RUSI
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se mund të shkojë në Stamboll të premten nëse bisedimet e paqes në Ukrainë shënojnë përparim sot. Duke folur nga Katari, gjatë vizitës së tij katër-ditore në Lindjen e Mesme, Trumpi ka thënë se shpreson se Rusia dhe Ukraina mund të “bëjnë diçka” pasi lufta “duhet të ndalet”.
“Ne do të donim të shihnim fundin dhe mendoj se kemi një shans për ta bërë këtë”, është shprehur Trump. Një ditë më parë, presidenti amerikan ka deklaruar se do të shqyrtonte shkuarjen në Stamboll, nëse edhe Putini bëhet pjesë e bisedimeve.