Kush është Aco Bocevski – “Cigani”? Në mes të ditës, në qendër të Shkupit, e zbrazi të gjithë karikatorin mbi viktimën!

Aco Bocevski, i njohur në botën e krimit si “Cigani”, është maqedonasi që u arrestua pas gati tri dekadash në arrati. Sot, ai është lokalizuar dhe ndaluar nga policia greke në qytetin Katerini, konfirmoi Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut.

Bocevski ishte në arrati që nga viti 1998, kur në vend që të vuante 15 vite burg për vrasjen gjakftohtë të Seat Ibraimit, u zhduk në rrethana të dyshimta ndërsa ishte në arrest shtëpiak. Për të ishte lëshuar një nga urdhër-arrestet ndërkombëtare më të vjetra dhe më famëkeqe.

Ngjarja e përgjakshme që e futi Bocevskin në historinë kriminale ndodhi në nëntor të vitit 1997, në mes të ditës, në qendër të Shkupit. Pas një ndjekjeje të shkurtër me makina, Bocevski doli nga “Corvette”-a e tij, e arriti Ibraimin, i cili me “Mercedes”-in kishte dalë nga rruga, dhe e qëlloi duke zbrazur të gjithë karikatorin mbi të. Një vrasje me nënshkrim – gjakftohtë, brutale dhe para syve të qytetit.

Me arrestimin e sotëm, drejtësia më në fund po i afrohet. Nga MPB njoftojnë se do të pasojë procedura për ekstradimin e tij në Maqedoni, ku e pret dënimi me burg që ende nuk e ka vuajtur.