Klubi i Bundesligas e kontakton djalin e Carlo Ancelottit për pozitën e trajnerit

Me ditët e Carlo Ancelotti-t te Real Madrid që duken të numëruara, debutimi i djalit të tij si trajner po afrohet gjithnjë e më shumë. Pas refuzimit të mëparshëm të një oferte për të marrë drejtimin e Everton, Davide Ancelotti është gati të ndjekë rrugën e tij këtë verë dhe të hedhë hapat e parë në pankinë.

Kjo ka qenë fjala që prej fillimit të sezonit. Ancelotti junior ka marrë interesim në disa raste, por tani duket i vendosur për t’u bërë trajner, pas më shumë se një dekade pranë të atit. Edhe pse Carlo Ancelotti pritet të bëhet trajneri i ardhshëm i Brazilit, Davide duket i vendosur të nisë karrierën e tij, në moshën vetëm 35-vjeçare.

Sipas BILD, të cituar nga MD, Davide Ancelotti është kontaktuar nga RB Leipzig, që po kërkon një trajner të ri për sezonin e ardhshëm. Ata janë të interesuar për potencialin e tij, megjithatë theksohet se ai nuk është favoriti për postin. Objektivat kryesorë të Leipzig janë trajneri i Crystal Palace, Oliver Glasner, dhe trajneri i Como-s, Cesc Fabregas.

Gjithashtu përmendet se Davide Ancelotti është cituar si një kandidat i mundshëm për të zëvendësuar Claudio Ranieri-n te AS Roma. Kujtojmë që i ati, Carlo, ka luajtur për Romën në vitet ’80.

Është përfolur gjithashtu se, nëse nuk mbërrin oferta e duhur, ai mund të konsiderojë të vazhdojë pranë Carlo Ancelotti-t si ndihmës trajner i Brazilit. Pritet që ai të marrë me vete një tjetër anëtar të stafit të Real Madridit, Francesco Mauri-n, si ndihmës, kudo që të fillojë si trajner i parë.

Edhe pse këtë sezon ka pasur më pak lavdërime, Davide Ancelotti vlerësohet lart në kryeqytetin spanjoll, duke marrë një rol aktiv në stërvitjen e skuadrës në fushë, ndërsa i ati mbikëqyr çështjet më të gjera. Ai flet disa gjuhë dhe i atribuohet një sërë risi taktike gjatë periudhës së dytë të Carlo Ancelotti-t te Real Madrid.