Kërkohet vazhdimi i paraburgimit për Thaçin në rastin kundër administrimit të drejtësisë

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit për ish-Presidentin Hashim Thaçi në çështjen ku akuzohet për pengim të administrimit të drejtësisë së bashku me Bashkim Smakajn, Fadil Fazliun, Isni Kilajn dhe Hajredin Kuçin.

Kërkesa u parashtrua më 14 maj 2025, ku thuhet se më herët gjyqtarja e procedurës paraprake ka konstatuar se ekziston dyshimi i bazuar që Thaçi ka kryer krime që bien në jurisdiksionin e DhSK-së dhe që ekziston rreziku i arratisjes, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Lexo edhe:
Peci për takimin me Osmanin: Shpresoj të dilet me propozim për rrugëzgjidhje
Veç kësaj, thuhet se është konstatuar se ka baza të argumentueshme për të besuar se ai mund të pengojë procesin dhe të kryejë vepra penale të tjera.

Po ashtu, Prokuroria ka thënë se është vërtetuar se asnjë kusht lirimi nuk mund të zbusë rreziqet që dalin në këtë proces.

Si rrjedhojë, në kërkesën e saj për vazhdimin e paraburgimit ndaj Thaçit, Prokuroria thotë se asgjë nuk ka ndryshuar që nga vendimi i fundit lidhur me kërkesa të tillë.

Prokuroria thotë se vazhdimi i paraburgimit për Thaçin mbetet i domosdoshëm dhe proporocional.

Ata thonë se aftësia e Thaçit për të ikur, penguar procesin si dhe të kryejë krime të tjera mund të menaxhohet në mënyrë efektive vetëm në qendrën e paraburgimit të DhSK-së.

“Garancitë që THAÇI mund të japë nuk janë të mjaftueshme për të garantuar përmbushjen e kushteve apo për të kapërcyer rreziqet konkrete që lidhen me lirimin e tij. Vlerësimi më i fundit i gjyqtares së procedurës paraprake, se rreziqet sipas nenit 41(6)(b) nuk mund të zbuten në mënyrë adekuate me ndonjë kusht, vërtetohet nga rrethanat aktuale. Për më tepër, kur plotësohen kushtet e nenit 41(6)(b) dhe nuk ka masa më të lehta se ndalimi, personi duhet të vazhdojë të mbahet në paraburgim”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë, Thaçi akuzohet për disa pika dhe nëse dënohet mund të përballet me një dënim të gjatë si dhe hapat e mbetur hetimor janë duke përparuar në mënyrë efikase. Andaj, vazhdimi i paraburgimit ndaj tij, sipas Prokurorisë, mbetet i arsyeshëm.

“Së fundi, dhe përmes procesit të vazhdueshëm të zbulimit, THAÇI vazhdon të fitojë një pasqyrë gjithnjë e më të qartë mbi provat kundër tij. Në këtë kontekst, ndalimi i vazhdueshëm i THAÇIT mbetet i arsyeshëm dhe proporcional”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë për vazhdimin e paraburgimit ndaj Hashim Thaçit në çështjen kundër administrimit të drejtësisë.

Vlen të theksohet se Thaçi është ankuar për mangësi në aktakuzën e tij në këtë rast dhe veç kësaj ai ka kërkuar veçimin e procedurës ndaj tij deri sa të përfundon rasti ku ai akuzohet për krime lufte.

Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe së fundi iu është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Vërejtje:
Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.