Katër shkolla do të marrin një system të mençur për menaxhim të energjisë – një memorandum i nënshkruar midis Ministrisë së Energjetikës, Telekomit dhe shkollave fillore në Shkup
Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale sot nënshkroi Memorandum bashkëpunimi me katër shkolla fillore në Shkup dhe me Telekomin e Maqedonisë, i cili fillon zbatimin e një nisme për përdorim më efikas të energjisë elektrike dhe për nxitjen e ndërgjegjësimit për energjinë në sistemin arsimor.
“Efiçienca e energjisë duhet të fillojë nga themeli – nga shkollat tona, ku ne edukojmë qytetarët e ardhshëm dhe profesionistët e ardhshëm. Përmes hapave të tillë konkretë, ne përcjellim mesazhin se çdo institucion, dhe në të vërtetë çdo individ, ka një rol për të luajtur në menaxhimin e qëndrueshëm të energjisë. Në të njëjtën kohë, me projekte të tilla ne u mësojmë brezave të rinj ndërgjegjësimin, përgjegjësinë dhe përdorimin racional të energjisë – vlera që janë thelbësore për të ardhmen që po ndërtojmë së bashku”, tha ministrja Sanja Bozhinovska.
Është hapi i parë në futjen e monitorimit dhe menaxhimit inteligjent të konsumit të energjisë elektrike në institucionet publike, duke filluar nga shkollat fillore “Mirçe Acev” (Gjorçe Petrov), “Ismail Qemali” (Qair), “Kiril Pejçinoviç” (Kisela Vodë) dhe “Lazo Angelovski” (Aerodrom). Një donacion nga Telekomi i Maqedonisë – një zgjidhje e avancuar Smart Energy Metering and Management (SEMM) do të instalohet në këto shkolla. Zgjidhja do t’i lejojë shkollave të kenë njohuri dhe kontroll më të mirë mbi kostot e energjisë dhe të inkurajojnë një përdorim më të përgjegjshëm të burimeve.