Kasami: Nuk ka marrëveshje për shkëmbim resorësh, shëndetësia mbetet në duart e VLEN-it

Pas largimit të Arben Taravarit nga Qeveria, i cili mbante edhe postin e ministrit të Shëndetësisë, kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, deklaroi se ky dikaster vazhdon të mbetet nën përgjegjësinë e koalicionit VLEN.

Kasami theksoi se deri më tani nuk është diskutuar për shkëmbim resorësh brenda koalicionit qeverisës, por shprehu gatishmëri që kjo çështje të shqyrtohet në të ardhmen, nëse lind nevoja.

“Nuk ka pasur bisedime për këmbim të ministrive. Një nga arsyet pse morëm Ministrinë e Shëndetësisë ishte kërkesa e drejtpërdrejtë e Arben Taravarit për ta drejtuar atë. Natyrisht, kur bëhen marrëveshjet për ndarjen e përgjegjësive, merren parasysh edhe kapacitetet që kemi. Nëse nga VLEN-i paraqitet ndonjë kuadër tjetër që konsiderohet më i përshtatshëm për ndonjë post tjetër, atëherë kjo mund të diskutohet me partnerët e koalicionit. Por për momentin, Ministria e Shëndetësisë mbetet nën menaxhimin e VLEN-it”, tha Kasami.