Humbje për futbollin, ndahet nga jeta kampioni i botës me Argjentinën në vitin 1978

Bota e futbollit është në zi pas ndarjes nga jeta të ish-mbrojtësit të kombëtares argjentinase, Luis Adolfo Galván. Legjenda e Talleres de Córdoba ndërroi jetë në moshën 77-vjeçare si pasojë e një pneumonie, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme në historinë e futbollit argjentinas.

Galván ishte një nga figurat kyçe në triumfin historik të Argjentinës në Kupën e Botës së vitit 1978, ku luajti si titullar në të gjitha ndeshjet e turneut. Ai përfaqësoi gjithashtu përfaqësuesen “Albiceleste” në Botërorin e vitit 1982, ku u përball me sulmuesit italianë Graziani dhe Paolo Rossi.

Galván ishte shumë më tepër se një lojtar. Ai mban rekordin për më shumë paraqitje me fanellën e klubit (Talleres de Cordoba) – plot 503 ndeshje në 17 sezone – dhe mbetet një nga simbolet e përjetshme të historisë së klubit. Pas tërheqjes nga futbolli, ai vazhdoi të kontribuonte si trajner në sektorin e të rinjve dhe në futbollin femëror, duke ndihmuar në formimin e brezave të rinj me të njëjtën përkushtim që e karakterizoi si lojtar.

“Lamtumirë, Luis. Me pikëllim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të Luis Adolfo Galván, emblemë e klubit tonë dhe kampion bote me kombëtaren argjentinase në vitin 1978. Jemi pranë familjes së tij dhe i bashkohemi lutjeve për pushimin e tij të përjetshëm. Galván do të mbetet përgjithmonë një Mjeshtër në historinë tonë,” shkroi klubi Talleres në rrjetet sociale.

Federata Argjentinase e Futbollit (AFA) shprehu gjithashtu ngushëllimet e saj përmes një mesazhi zyrtar: “Federata e Futbollit Argjentinas, nëpërmjet presidentit Claudio Tapia, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të kampionit të botës Luis Galván dhe u shpreh mbështetjen e saj familjarëve dhe të afërmve.”

Luis Galván largohet nga kjo botë, por kujtimi i tij do të mbetet i paharrueshëm në zemrat e tifozëve dhe në historinë e futbollit argjentinas.