Kandidatja për kryetare të Kuvendit, deputetja e LVV-së, Albulena Haxhiu, u ka bërë thirrje sërish të gjithë deputetëve të Kuvendit që të marrin pjesë në votimin e komisionit për votim të fshehtë.
“Nuk e di edhe sa herë duhet ta paraqesim qëndrimin e LVV-së. E kemi thënë në vazhdimësi se të drejtën për propozim të kryetarit të kuvendit e ka LVV. LVV është përcaktuar tashmë për këtë çështje. Ajo çfarë duhet është që deputetët të marrin pjesë në votim, të votojnë komisionin për votimin e fshehtë, çoftë për, kundër apo abstenim, por jo të vijnë në kuvend e të mos votojnë. Shtrohet pyetja se përse po vijnë? Është e rëndësishme që ky komision të formohet, të vazhdojmë me procedurat e votimit të fshehtë”.
“Dihet që është një lëndë për këtë në Kushtetuese. Urojmë që sa më parë kjo gjykatë ta thotë fjalën e saj”, tha Haxhiu.
Për bashkëpunimin e mundshëm mes LVV-së dhe Nismës së Fatmir Limajt, Haxhiu tha se i shohin këta të fundit si partnerë.
“Ne kemi theksuar që i shohim si partnerë tanë. Për këtë ka pasur disa takime. Diskutimet vazhdojnë për këtë qëllim dhe urojmë të përmbyllen sa më parë. Por, para qeverisë është kuvendi”, tha deputetja Haxhiu.
Në fund, ajo kërkoi nga të gjithë deputetët që të votohet për komisionin për votim të fshehtë.
“Pavarësisht qëndrimeve personale, dhe asaj çfarë ka ndodhur në të kaluarën, ne jemi shumë të hapur të bashkëpunojmë me subjektet politike, por asnjëherë nuk do t’i pranojmë kërkesat e tyre të paarsyeshme, të pajustifikueshme, të cilat nuk përkojnë as me Kushtetutën e as me aktgjykimin e kushtetueses”, tha ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.