Guardiola zbulon gabimin e madh i cili i kushtoi Man Cityt me sezon të tmerrshëm

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka zbuluar gabimin e madh që fshihet prapa sezonit të tmerrshëm të ‘Qytetarëve’, të cilët po luftojnë për një vend që të kualifikon në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.

Manchester City ka dështuar që ta fitojë Ligën Premier për herë të parë që prej se Liverpooli i mposhti ata në sezonin 2019/2020.

Ekipi i Guardiolës u fut këtë sezon me synimin për ta fituar titullin e pestë radhazi në Angli, sidoqoftë, pas lëndimit të rëndë të Rodrit, forma e tyre pësoi një rënie drastike dhe këtë e shfrytëzoi në maksimum Liverpooli.

Forma e Cityt është stabilizuar në një farë mënyrë gjatë tre muajve të fundit dhe tani ata po luftojnë me ekipe si Chelsea, Nottingham Forest, Newcastle United dhe Aston Villa për një vend në Ligën e Kampionëve.

Tekniku katalanas tashmë ka zbuluar gabimin që ka bërë më herët gjatë sezonit, i cili ka mundur t’i rikthejë ata në formë më herët.

“Tani po reflektoj pse Nico O’Reilly nuk ka luajtur në nëntor, dhjetor, janar, shkurt ose James McAtee gjithashtu”.

“Duhej ta kisha bërë. Në atë moment, unë mendova ndoshta ata nuk janë gati dhe shikoni çfarë ka ndodhur. Ata janë gati, kjo është arsyeja pse po luajnë”, ka thënë Guardiola.

Man City momentalisht renditet në pozitën e katërt në tabelën e klasifikimit në Ligën Premier, teksa kanë mbetur edhe katër ndeshje para mbylljes së kampionatit.

Më vonë gjatë këtij muaji ata do të luajnë finalen e FA Cup ndaj Crystal Palace.