Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me vendimin e saj të fundit për të shfuqizuar themelimin e “Medresesë Isa Beu” si shkollë private, (“vakëf” i një partie politike) ka bërë më shumë për ruajtjen e dinjitetit të arsimit teologjik në vend se sa udhëheqja aktuale e Bashkësisë Fetare Islame e cila përmbysjet dhe djallëzitë i llogaritë për “reforma”
Koment i Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut e ka shfuqizuar me të drejtë një nga vendimet më të rrezikshme të kohëve të fundit – atë për themelimin e Medresesë “Isa Beu” si shkollë private. Vendimi, që synonte të kamuflonte nën “vullnetin e mirë” një plan të fëlliqur të Shaqir Fetait dhe përkrahësve të tij politikë, ishte asgjë më shumë se një përpjekje për ta varrosur Medresenë tradicionale dhe për ta privatizuar arsimin fetar mysliman për qëllime klienteliste dhe sunduese.
Në këtë kuptim, vendimi i Kushtetueses nuk ishte thjesht një akt juridik. Ishte një ndalesë morale dhe kushtetuese kundër abuzimit të pushtetit fetar për interesa politike dhe klienteliste. Ishte një “Jo!” e fortë ndaj bastardimit të institucionit të Medresesë Isa Beu, i cili, për Shaqir Fetain, duket se nuk është më shumë se një ndërmarrje nga e cila mund të mblidhen të ardhura dhe të sistemohen militantë pa kurrfarë lidhjesh me thirrjen e dijes fetare.
Në thelb të vendimit të Kushtetueses qëndron një parim i qartë: shteti sekular nuk mund të lejojë që institucionet fetare të krijojnë shkolla të tipit civil nën maskën e arsimit fetar, për aq kohë sa ato janë të ndërtuara mbi programe që nuk përshtaten me kriteret ligjore për arsimin e mesëm të përgjithshëm. Kushtetuta dhe ligji mbi bashkësitë fetare janë të qarta: këto bashkësi mund të themelojnë shkolla fetare për nevoja të brendshme të komunitetit, por jo shkolla hibride që kërkojnë legjitimitet shtetëror ndërsa ruajnë karakterin selektiv fetar.
Në këtë kuptim, vendimi i Qeverisë për të regjistruar Medresenë si shkollë private ishte jo vetëm një akt antikushtetues, por edhe në mospërputhje serioze me vetë strukturën e shtetit laik. Dhe, e pabesueshme por e vërtetë: roli shpëtimtar i Medresesë nga kjo katrahurë nuk iu desh ndonjë imam i devotshëm apo dijetar me integritet, por vetë Gjykatës Kushtetuese.
Nga gjithë kjo histori, Shaqir Fetai del i vetëm në pozitën më të turpshme: ajo e një lideri që gënjen komunitetin përmes “reformave”, që i nënshtron institucionet për interesa personale dhe që, kur e përplas Kushtetuesja në murin e realitetit, reagon me arrogancë e injorancë të skajshme. Në vend se të kërkojë reflektim, ai shpërndan kritika ndaj gjykatësve, jep leksione juridike nga selia e një institucioni që i ka rrëshqitur nga dora, dhe sillet sikur vetë është mbi ligjin, mbi bashkësinë dhe mbi çdo normë logjike.
Por çfarë kërkonte realisht Shaqir Fetai me këtë akt? Shpëtimin e medresantëve? Sigurisht që jo. Ai kërkonte shuarjen graduale të Medresesë Isa Beu si institucion i pavarur dhe tradicional, dhe zëvendësimin e saj me një strukturë të kontrolluar nga një dorë e vetme – e tija. Një lloj arsimimi i sterilizuar fetarisht, që nuk do të lindte më teologë të lirë, por burokratë me vula.
Në vend se të kërkonte zgjidhje për problemin e akreditimit të nxënësve të Medresesë, Shaqir Fetai zgjodhi rrugën e mashtrimit dhe të manipulimit institucional. I ndihmuar nga kuadri teknik i BDI-së në Qeverinë e përkohëshme, përfshirë z. Talat Xhaferin, u shpik një “shkollë private” që në pamje të parë do të zgjidhte problemet e medresantëve, por në thelb ishte projekt për të shuar Medresenë e vërtetë dhe për të ngritur një kopje të sterilizuar e të kontrolluar në emër të reformës, nga e cila pastaj do të siguroheshin një grusht votash aq shumë të nevojshme për partinë e Shaqir Fetait (BDI-në).
Fatmirësisht, Gjykata Kushtetuese nuk u bë pjesë e kësaj skeme të rrezikshme. Me vendimin e saj, ajo i tha një “Jo” të qartë një plani që jo vetëm që shkel Kushtetutën, por që kërcënon të zhbëjë gjithë trashëgiminë e arsimit tradicional islam në vend. E tha me qetësi juridike, por me forcën e një institucioni që ende i mbetet besnik rendit dhe ligjit – ndryshe nga institucioni fetar (BFI) që duhet të jetë moral i gjallë, por është kthyer në bunker të arrogancës, cinizmit, intrigave dhe keqpërdorimit.
Ky vendim është fitore e myslimanëve të vendit, e dijetarëve të ndershëm e me vizion, e nxënësve që nuk kërkojnë thjesht një diplomë, por një identitet fetar të formuar me përgjegjësi e me profesionalizëm. Është një shuplakë për Shaqir Fetain, i cili përmes një gjuhe përçmuese dhe një arrogance vullgare tentoi ta shesë këtë vendim si pengesë për zhvillimin, kur në fakt pengesë ishte ai vetë – me idenë e tij të mbrapshtë për ta kthyer Medresenë në një han privat me qira politike.
Ai nuk kërkoi zgjidhje, ai kërkoi zhbërje. Ai nuk e respektoi Kushtetutën, ai tentoi ta përdhosë me leje qeveritare nga një qeveri e cila ishte më se e bindur se po ikte. Dhe më tragjikja: ai nuk mbrojti të rinjtë myslimanë, por i përdori si kartë për të forcuar pushtetin e vet personal.
Në vend që të ndjekë rrugët për t’i siguruar Medresesë një status të respektuar brenda kornizës fetare dhe për të ndërtuar urë drejt Fakultetit të Shkencave Islame, ai ndërtoi një rrugë të fshehtë, të paligjshme, që do ta linte Medresenë pa identitet, pa funksion dhe pa asnjë të ardhme.
A nuk është koha që vetë Bashkësia Fetare Islame të zgjohet dhe ta ndalë këtë njeri që po e shkatërron çdo gjë për të mbijetuar në fronin e improvizuar të liderit fetar?
Në vend se të marrë leksione nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, Shaqir Fetai po përpiqet të sulmojë gjyqtarët, të mohojë vendimin dhe të nxjerrë teori juridike të cilat vetëm ai dhe oborrtarët e tij mund t’i besojnë. Kjo është jo vetëm mungesë dinjiteti, por edhe mungesë minimale etike. Lideri që shkel ligjin dhe pastaj e urren drejtësinë nuk është më lider, por një problem i madh moral për çdo bashkësi që pretendon të udhëhiqet në emër të Zotit.
Gjykata Kushtetuese u bë zëri i munguar i besimtarëve. Ajo e ndaloi shkatërrimin e Medresesë nga ata që e kanë gjakun në sy ndaj çdo gjëje që nuk kontrollohet prej tyre. Tani është koha që vetë myslimanët e këtij vendi të kuptojnë: nuk është Medreseja ajo që ka nevojë për reformim – është udhëheqja që ka nevojë për ndërgjegje. Dhe ky ndërgjegjësim u duhet për të kuptuar se koha është për ikje dhe për “zhdukje” të përhershme nga ky turpërim që ia bënë vetes .
Në vend që të kundërshtojë Kushtetuesen dhe të luajë rolin e juristit të dështuar, Shaqir Fetai duhet të ulë kokën dhe t’i kërkojë falje Medresesë. Të kërkojë falje nxënësve që i përdori si eksperiment politik. Dhe mbi të gjitha, të heqë dorë nga iluzioni se mund të qeverisë një bashkësi të tërë me modelin e zyrës personale. Ky nuk është reformizëm, është autoritarizëm i maskuar me rrobën e intrigës, një akt i shëmtuar që vetëm një gjykatë e pavarur mund ta ndalte.
Dhe fatmirësisht, Gjykata Kushtetuese këtë e bëri. Dhe për këtë, meriton mirënjohjen e çdo myslimani të ndershëm të këtij vendi.
Këtu kemi një paradoks! Si u bë që një fakultet fetar mund të akreditohet dhe jo edhe një shkollë e mesme fetare? Pse u akreditua Fakulteti i Shkencva e Islame dhe çka i ndihmoi ky akreditim medresantëve?
Në fakt, vetëm të verbërit në tru nuk po e kuptojnë se akreditimi i Fakultetit të Shkencave Islame ishte eksperimenti tjetër i dështuar që sot po e mbyt vetë Medresenë, sepse medredsantët e paakredituar nuk po ia dalin të regjistrohen madje as në FSHI-në e akredituar!
FSHI – që dikur përfaqësonte institucionin e lartë të dijes islame në vend – sot është shndërruar në një ndërmarrje formale, e futur kokë e këmbë nën hijen e Ministrisë së Arsimit, që e ka zhveshur nga autonomia, nga profili fetar i mirëfilltë dhe nga misioni origjinal dhe që inspektorët e së cilës kur të duan e ndëshkojnë, e përçmojnë dhe mund edhe ta mbyllin.
Pa dyshim, po del puna që edhe akreditimi i tij ishte një gabim strategjik. I ndodhur nën presion politik gjatë periudhës së qeverisjes së Gruevskit, ai akreditim iu shit komunitetit si “fitore për teologjinë islame”, por në të vërtetë ishte një grackë për ta shndërruar teologun në burokrat dhe Fakultetin në një stacion ndihmës për një shtet që nuk e pranon në thelb fenë në arsimin publik po që për lëndën fetare në arsim publik kërkon kuadër nga institucioni arsimor i akredituar! Çfarë ndodhi më pas? Fakulteti u bë selektiv, i papërdorshëm për medresantët që dalin nga një program tjetër, dhe tani këta të rinj nuk mund të regjistrohen as në fakultetin që formalisht supozohet se është për ta.
A mund të jetë kjo rastësi? Jo. Është pjesë e të njëjtit plan të deformimit të arsimit fetar – ku Medresesë i hiqet shpirti, Fakultetit i mbyllen dyert, dhe mbi të gjitha, nuk nxitet asnjë kuadër të lirë, por vetëm rreshtim dhe bindje ndaj një udhëheqjeje që ka frikë nga mendimi i pavarur.
Nëse Medreseja po shndërrohej në një “gjimnaz pa teologji”, atëherë Fakulteti tashmë është një “fakultet pa medresantë”. Dhe ky është kulmi i absurditetit! Shaqir Fetai jo vetëm që nuk po e ndihmon këtë situatë, por po e përkeqëson me çdo hap të tijin, sepse për të, as teologjia nuk ka vlerë nëse nuk shërben për të blinduar karrigen e vet.