Gashi: Në punën time si Kryetar Parlamenti nuk e favorizoj askënd, përndryshe opinioni e di se unë i takoj koalicionit VLEN

Afrim Gashi, Kryetar i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut në emisionin debativ 24 Analiza për TV 24 i pyetur se a ka favorizuar grupin parlamentar të VLEN, theksoi se ai në punën e tij si kryetar i Parlamentit nuk e favorizon askënd.

Por, theksoi Gashi, opinioni e di se ai i takon Koalicionit VLEN.

“Jo. Me të gjithë do të fotografohesha pa asnjë problem. Tash të kthehemi të flasim seriozisht. E kuptoj kontekstin e pyetjes. Unë vazhdoj të qëndroj të jam i pari në mesin e të barabartëve nga pozita e Kryetarit të Parlamentit. Por, nuk mund të abstrahohem në tërësi, pasi që unë nuk kam ardhur, ashtu siç thatë prej më herët nga Suedia. Unë këtu kam ardhur nga politika. I takoj atij koalicioni. Kam garuar në zgjedhje si pjesë e atij Koalicioni dhe është normale që kur ka ri formatim edhe herën e kaluar kur e kemi formuar grupin parlamentar jam nënshkruar nga të parët. Kam qenë edhe atëherë Kryetar i Parlamentit. Ishte e rendit që të tregoj se unë i takoj atij grupi parlamentar. Unë nuk e fsheh atë, këtë gjë opinioni e di. Por, në punën time si Kryetar i Parlamentit unë qëndroj në atë mënyrë ashtu siç thash.”, tha midis tjerash Gashi.