Filipçe do të iniciojë takim të partive parlamentare për ndryshimet kushtetuese

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe njofton se është caktuar një takim për javën e ardhshme me ministrin aktual të Shëndetësisë, Arben Taravari, i cili është gati të largohet nga koalicioni qeveritar.

“Si kolegë, kemi një marrëdhënie të mirë personale me Arbenin. Nuk e di çfarë po ndodh, nëse po largohet nga qeveria apo jo, por kemi caktuar një takim për javën e ardhshme”, tha Filipce në emisionin “Politikanti”,.

Ai shtoi se grupet e punës të LSDM-së dhe OBRM-PDUKM-së janë në komunikim pas takimit të tij me kryeministrin Hristijan Mickoski.

“Grupet e punës po punojnë mbi ligje të rëndësishme në gjyqësor, ne do të japim komentet tona mbi tekstet e tyre javën e ardhshme, shpresoj që gjithçka do të miratohet me konsensus të gjerë. Në të gjitha vendet, në procesin e negociatave me BE-në, njerëzit punuan së bashku, qeveria dhe opozita, Kroacia dhe Gjermania janë një shembull pozitiv”, thotë Filipce.

Megjithatë, ai thekson se ka dallime në lidhje me ndryshimet kushtetuese.

“Në periudhën e ardhshme, do të inicioj një takim të të gjitha partive politike parlamentare për të diskutuar propozimin francez dhe se cila është pengesa për miratimin e ndryshimeve kushtetuese. Pengesa kryesore është, për shembull, komisioni historik, dikush mendon se do t’ia heqë Goce Dellçevin ose diçka të ngjashme, megjithatë, protokolli numër 2 thotë se zgjidhjet nuk janë të detyrueshme, por përkundrazi e inkurajon Komisionin të punojë. Kjo do të thotë që nëse nuk biem dakord, tema të caktuara nuk do të hyjnë fare në rend të ditës. Mund të jetë një frikë irracionale, prandaj po i nis negociatat”, tha Filipçe.