Drejtori i Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve, Aleksandar Pandov, deklaroi se djegia e vilës së tij në fshatin Oreshan është vepër e bandave të organizuara nga brenda burgjeve, si hakmarrje për luftën e tij kundër krimit të organizuar në sistemin penitenciar.
Në një intervistë për televizionin “Sitel”, Pandov tha se posedon dyshime se burgosurit me telefona të kontrabanduar dhe të shtrenjtë kanë urdhëruar zjarrvënien. Ai shtoi se kohët e fundit kishte dëgjuar zëra për ndonjë sulm ndaj tij, por pa prova materiale.
Pandov tregoi se disa të burgosur u kanë ofruar deri në 20 mijë euro gardianëve për t’u futur telefona në burg. Disa prej tyre kanë pranuar, të tjerë jo. Ai publikoi edhe fotografi të vilës së djegur në rrjetet sociale.
Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, e dënoi ashpër incidentin dhe deklaroi se autorët do të përballen me përgjegjësi penale.