Dimitrieska-Koçoska në takim në OEMV – Po ulim normat doganore për 70 produkte, prodhimi dhe eksporti do të rriten
Sot, gjatë takimit në Odën Ekonomike, ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçosoka, njoftoi lidhur me uljen e normave doganore për rreth 70 produkte, kryesisht për repromaterialet dhe lëndët e para.
“Propozimi i zgjidhjes ligjore me të cilin do të ulen normat doganore për disa produkte është në procedurë parlamentare, fakt ky që kompanive do t’u mundësojë të prodhojnë dhe të eksportojnë më shumë. Nga 1 korriku do të bëhet ulja e normës doganore deri në 50%, të cilat vlejnë edhe në BE dhe në periudhën e ardhshme gjithashtu ato do të ulen edhe për 50%”, theksoi ministrja e Financave.
Në këtë takim, i cili është komunikim i rregullt me komunitetin e biznesit, u diskutuan çështje që lidhen me parashikueshmërinë në fushën e biznesit, tema aktuale, si dhe u zhvilluan anketa midis anëtarëve për detektimin e çështjeve mbi të cilat duhet punuar për përmirësimin e kushteve të biznesit dhe ofrimin e shërbimeve nga administrata për sektorin privat.
Kryetari i OEMV-së, Branko Azeski, theksoi se komuniteti i biznesit është i kënaqur me atë që po ndërmerr Qeveria, por se kjo po shkon me një ritëm më të ngadaltë.
Ajo bëri kërkesë që 70% e punëve që do të kryhen gjatë zbatimit të projekteve të mbështetura përmes Marrëveshjes së partneritet strategjik me Mbretërinë e Bashkuar të realizohen nga ana e kompanive vendore. Njëkohësisht, shprehu kënaqësi për realizimin e huasë hungareze të destinuar për kompanitë dhe se ajo do të zhvillohet sipas planifikimit. Në lidhje me tatimin e solidaritetit theksoi se u arrit marrëveshje që bashkërisht të zvogëlohet afati në të cilin shteti do t’ua kthejë atë kompanive nga periudha 5-vjeçare e përcaktuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe se modalitetet e kthimit gjithashtu do të përcaktohen në mënyrë të përbashkët.
Ministrja e Financave në lidhje me realizimin e projekteve që do të përkrahen përmes Marrëveshjes së partneritet strategjik me Mbretërinë e Bashkuar, theksoi se bëhet fjalë për 5 miliardë paund që do të tërhiqen në 10 vitet e ardhshme, ndërsa transferimi i tyre do të realizohet në bazë të projekteve të gatshme. Mjetet e financimit do të kërkohen pasi të ketë përfunduar projekti, ndërkohë që kushtet do të varen nga afati i shlyerjes, por gjatë përzgjedhjes së tyre do të shfrytëzohet burimi që do të ofrojë kushte më të favorshme.
“Qeveria britanike me këtë marrëveshje i qëndron pas Maqedonisë dhe garanton se ne do t’i kthejmë këto mjete”, theksoi ministrja e Financave.