Bilall Kasami jep honorare për militantë dhe pensionistë, reagon BDI – Tetovë

Tetovarët kanë të drejtë të dinë se ku shkojnë paratë e tyre. Buxheti i Komunës së Tetovës, i cili mblidhet nga kontributi i taksapaguesve, duhet të jetë në shërbim të qytetarëve – për rrugë, shkolla, ujësjellës dhe përmirësim të shërbimeve publike.

Së fundmi, kemi marrë informacione shqetësuese nga raportime mediatike dhe burime zyrtare të hapura, se persona pa asnjë angazhim konkret në Komunë po paguhen përmes kontratave në vepër. Këto pagesa, të pajustifikuara në aspektin profesional dhe moral, përbëjnë një abuzim me mjetet publike dhe një padrejtësi ndaj qytetarëve të Tetovës.

Për këtë arsye, këshilltarët e Bashkimit Demokratik për Integrim në Kuvendin Komunal të Tetovës kanë dorëzuar një kërkesë zyrtare për qasje në informata me karakter publik. Kërkesa ka për qëllim zbardhjen e listës së personave të angazhuar me kontratë në vepër në Komunë dhe ndërmarrjet publike, si dhe shpjegimin e bazës ligjore dhe funksionale të këtyre angazhimeve.

Paratë publike nuk janë për shërbime politike e as për logjistikë partiake, ato janë për projekte konkrete që përmirësojnë jetën e qytetarëve. Tetova ka nevojë për investime të ndjeshme në infrastrukturë, arsim, zhvillim ekonomik lokal dhe shërbime efikase në çdo lagje.

Bashkimi Demokratik për Integrim – Dega Tetovë riafirmon qëndrimin e qartë se llogaridhënia dhe transparenca nuk janë çështje dëshirash të individëve apo grupacioneve politike, por detyrim ligjor të çdo udhëheqësie lokale që respekton dhe kujdeset për qytetarët e vet.