Sot, në mënyrë pompoze dhe mediatike, Bilall Kasami promovoi “të arriturat” e Brigadës Territoriale të Zjarrfikësve në Tetovë në Sheshin Iliria. Por realiteti që jetojnë qytetarët dhe vetë brigada është krejtësisht tjetër.
Sipas pasqyrës buxhetore të vetë Komunës së Tetovës, në vitet 2024 dhe 2025 janë ndarë vetëm 25.000 euro për mirëmbajtje dhe riparime – ndërsa 0 denarë për investime të reja. Në të njëjtën kohë, Bilall Kasami e ka parë të arsyeshme të ndajë 2 milionë euro nga buxheti komunal për militantët e Lëvizjes BESA, nëpërmjet kontratave në vepër për angazhimeve politike dhe logjistikë partiake.
Realiteti në terren është alarmant, një numër i madh i automjeteve për shuarje të zjarrit janë jashtë funksionit, të havarisura dhe të papërdorshme. Kjo brigadë, e cila shërben gjashtë komuna përreth Tetovës, vuan edhe nga mungesa e stafit të mjaftueshëm. Për më tepër, kemi indikacione të besueshme se disa persona të punësuar si zjarrfikës, të afërt me strukturat e Lëvizjes BESA, nuk paraqiten fare në vendin e punës.
Keqmenaxhimi dhe mungesa e përgjegjësisë nuk ndalen te zjarrfikësit. Kjo dukuri paraqitet në çdo ndërmarrje komunale, në çdo segment të shërbimit publik që duhet t’u shërbejë qytetarëve e jo partive politike.
Tetova nuk ka nevojë për spektakël. Ka nevojë për shërbime funksionale, për siguri dhe për përgjegjësi. Ndërsa qytetarët kërkojnë zgjidhje, Bilall Kasami shpërblen militantët. Ky është realiteti i një mandati që po dështon me të gjitha frontet.