Apeli lejon administratën Trump që të pezullojë përkohësisht financimin e REL-it dhe transmetuesve të tjerë

Një gjykatë e apelit në Shtetet e Bashkuara ka pezulluar vendimet e gjykatës së shkallës së parë, që i kërkonin administratës së presidenti Donald Trump, të transferonte paratë e autorizuara nga Kongresi për Radion Evropa e Lirë dhe organizata të tjera mediale

Vendimi i 1 majit, i një paneli prej tre gjyqtarësh në Uashington, plus një vendim i lidhur nga po i njëjti panel i marrë më 3 maj, nënkupton se buxheti për Radion Evropa e Lirë është i pasigurt, sikurse është edhe aftësia e transmetuesit për të vazhduar punën.

REL-i është në betejë ligjore me Agjencinë e SHBA-së për Media Globale (USAGM) që nga 14 marsi, kur Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv duke kërkuar tkurrjen e punës USAGM-së në minimumin e lejuar nga ligji.

Urdhri nuk ka prekur vetëm USAGM-në, por edhe Zërin e Amerikës, REL-in dhe organizata të tjera mediale që pranojnë fonde të miratuara nga Kongresi, sikurse Radio Azia e Lirë (RFA), Rrjetet e Transmetimit për Lindjen e Mesme (MBN) dhe të tjerë.

Për dallim nga Zëri i Amerikës, që është entitet federal, REL-i, RFA-ja dhe MBN-ja janë organizata private jofitimprurëse.

REL-i ka paditur USAGM-në, duke kërkuar lirimin e fondeve. Më 29 prill, gjykatësi federal, Royce Lamberth, lëshoi një urdhër të përkohshëm ndalimi për REL-in, duke vendosur që ishte Kongresi amerikan ai që “vendosi që fondet në fjalë duhet t’i ndaheshin REL-it” dhe se presidenti amerikan, Donald Trump, kishte nënshkruar rezolutën buxhetore ku ndaheshin ato fonde.

Vendimi urdhëroi lëshimin e një pjese të fondeve, që sipas REL-it, i takojnë.

Megjithatë, më 1 maj, një panel prej tre gjyqtarësh në Gjykatën e Apelit në Uashington lëshoi një “pezullim administrativ”, që ndaloi përkohësisht zbatimin e vendimit të gjykatësit Lambeth.

Paneli tha se dëshiron që të ketë “mundësi të mjaftueshme” për të shqyrtuar kërkesat urgjente të parashtruara nga avokatët e Departamentit amerikan të Drejtësisë, të cilët përfaqësojnë USAGM-në në gjykatë.

Pezullimi “nuk duhet të interpretohet në asnjë mënyrë si vendim mbi meritën e këtyre kërkesave”, tha paneli, që përfshin dy gjyqtarë të emëruar nga Trumpi dhe një tjetër të emëruar nga ish-presidenti Barack Obama.

Nëse çështja apelohet, atëherë vendimi nëse pezullimi administrativ duhet të mbetet në fuqi do të shqyrtohet nga një panel më i gjerë i Gjykatës së Apelit në Uashington.

VOA dhe transmetuesit e tjerë të financuar nga Kongresi janë prekur në mënyrë drastike nga urdhri ekzekutiv i administratës Trump dhe kanë ngritur padi për të sfiduar këtë urdhër.

VOA është detyruar që të dërgojë pothuajse të gjithë stafin në pushim me pagesë dhe të ndalë punën, për herë të parë që kur u themelua më 1942.

RFA-ja ka thënë se pothuajse i gjithë stafi, përfshirë edhe ata që janë dërguar në pushim administrativ, do të pushohen nga puna më 9 maj. Kjo nënkupton që deri në fund të majit, gjysma e shërbimeve të RFA-së më nuk do të prodhojnë apo publikojnë përmbajtje të re.

Ndërkohë, REL-i ka vazhduar transmetimin dhe të prodhojë përmbajtje. Megjithatë, transmetuesi ka dërguar në pushim administrativ dhjetëra punonjës, ka shkëputur kontratat me bashkëpunëtorët dhe ka ndërmarrë masa të tjera për kursyer buxhetin që i ka mbetur.

Situata e Zërit të Amerikës është edhe më e ndërlikuar. Më 22 prill, gjykatësi Lambeth, i njëjti gjykatës që po shqyrton çështjen e REL-it, urdhëroi administratën Trump që të “ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm” që punonjësit e Zërit të Amerikës të kthehen në punë.

Më 2 maj, USAGM u raportua se i dërgoi një email qindra punonjësve, duke i udhëzuar që të përgatiten që të kthehen në punë në ditët në vijim.

Një ditë më vonë, më 3 maj, një panel prej tre gjykatësish – i njëjti panel sikurse në rastin e REL-it – pezulloi vendimin e Lambethit, duke sugjeruar se ai nuk kishte juridiksion për të urdhëruar kthimin në punë të punonjësve të Zërit të Amerikës.

Ky vendim po ashtu bllokoi edhe vendimin tjetër të Lambethit, që ka të bëjë me REL-in dhe organizatat e tjera mediale që financohen nga fondet e miratuara nga Kongresi amerikan.

Kari Lake, e emëruara e Trumpit që ka mbikëqyrur përpjekjet për mbylljen e USAGM, lavdëroi vendimin e Gjykatës së Apelit dhe shkroi në X se “doli që gjykatësi i qarkut nuk do të mund të menaxhojë agjencinë ashtu siç duket se do që ta menaxhojë”.

Radio Evropa e Lirë vazhdon që të kërkojë që t’i lëshohet pjesa tjetër e fondeve që thotë se i takojnë nga ndarjet e bëra nga Kongresi për vitin fiskal 2025./REL