Në këto fotografi të dërguara në redaksinë tonë shihen tregtarë të revoltuar në përpjekje të pengojnë vendosjen e disa strukturave të hekurit para dyqaneve të tyre në Kumanovë.
TV21 i vizitoi në ditën kur skadoi afati që Komuna u ka dhënë afaristëve për t’i takuar dhe dëgjuar për shqetësimet që kanë. Në komunë nuk i pranoi askush.
Afaristët konsiderojnë se padrejtësisht është uzurpuar hapësira publike në trotuar. Thonë se komuna i ka dhënë leje një kompanie private për shitje biletash, por ajo ka abuzuar duke i zmadhuar për t’i bërë kioske për shitje dhe si rrjedhojë dëmton hyrjet dhe pamjen e dyqaneve.
“Kurr këtu s’ka pasur stacion të autobusave dhe dyqan para dyqanit. A është e mundur që të ndodh kjo, bile 6 metra e ka vendos (izllogin) para emrave të firmave tona. Brendet e firmave tona nuk duken dhe unë Kumanovën e njoh se këtu kam lindur dhe të më thot dikush se kanë vendosur tjetër kund të tilla. Këtu neve tre duqaneve na kanë zënë frymën”, tha një afarist.
“Kjo nuk është vetëm për udhtarët të pritin këtu, e kanë bërë si kafe. Ne këtu punojmë qe 4-5 vite, më herët ka qenë një pikë-pritje më e vogël se kjo, por këtë para një jave e kanë vendosur. Nuk e di përse se nuk ju ka dashur aq e madhe, i ka mbyll gjitha dyqanet. Ne me këto dyqane jetojmë e punojmë”, tha një tjetër afarist.
“Kjo nuk është reale, nuk është normale se prej 93’ën ky lokal punon kurr nuk është mbyll, e tani të më ndojnë dyqan para dyqanit nuk ndodh askund nëbotë”, shtoi një afarist tjetër.
“Neve konkretisht na pengojnë reklamat dhe pamja e kioskut, përndryshe për ulëset që pritet autobusi nuk është problem se kudo në qytete tjera ka pika të pritjes. Vendimi është marr para 10 viteve që kiosqet, barakat e këto gjëra të tërhiqen nga trotuaret, kurse këta kanë marrë vendim tjetër për të vendosur të reja”, potencoi një tjetër afarist.
Në prezencë të policisë disa ditë më parë, kompania që po vendos strukturat e metalta, hasi në rezistencë nga afaristët e dyqaneve përreth. Përveç se u zihet pamja, zvogëlohet edhe hapësira e trotuarit. Nuk mbetet as gjysmë metri për të kaluar këmbësorët, karrocat e personave me nevoja të veçanta, ose edhe karrocat e fëmijëve. Nga Komuna e Kumanovës thonë se kompania fituese e projektit do t’i ndërtoj dhe t’i mirëmbajë për 10 vite këto pika për shitje biletash.
“Ky projekt ka kaluar në Këshillin Komunal në mars 2023, në të cilin shkruhet që në 33 stacione të autobusëve nëpër rrugët e qytetit do të ndërtohen 3 lloje pikë-ndalesave me konstrukt hekuri. Për këto Komunës do t’i paguhet qira mujore për shfrytëzimin e hapësirës publike si dhe rreth 10 mijë denarë takës për secilën nga pikë-ndalesat e autobusëve për banerët e reklamimeve në to”, thonë nga Komuna e Kumanovës.
Nga Komuna e Kumanovës shtojnë; se nuk janë të informuar nga kompania fituese e tenderit ‘Media Group’, që në ato pika kanë vendosur kioske për shitje të mallrave komerciale, pasi që në shpalljen publike të Komunës specifikohet që ato pika janë vetëm për pritjen e udhëtarëve për autobusët dhe për shitje të biletave të autobusëve. Sipas tyre, nëse ka shkelje të marrëveshjes do të merren masa konkrete për revokimin e strukturave që kalojnë specifikat e lejuara ndërtimore. TV21 u përpoq të komunikojë edhe kompaninë fituese të projektit, por ishin të paqasshëm.