Ancelotti flet për punën te Brazili, zemrën te Real Madridi dhe Xabi Alonson

Carlo Ancelotti foli përpara ndeshjes së Real Madridit kundër Mallorcas në La Liga, duke u ndalur te puna e re me Brazilin dhe këshillat për Xabi Alonson që do të marr drejtimin e mbretërve.

Ancelotti konfirmoi largimin e tij dhe fillimin e punës te Brazili që nga 26 maji.

“Do të jem trajner i Brazilit nga 26 maji. Si çdo gjë në jetë, gjërat kanë një fund. E shijova kohën time këtu”.

“Më 26 do të flas për një sfidë tjetër. Nuk kam pasur kurrë probleme me klubin dhe nuk do të kem kurrë. Është klubi që e mbaj në zemër dhe do ta mbaj aty edhe kur kjo aventurë të mbarojë. Po i vjen fundi pas disa vitesh në të cilat kemi fituar shumë tituj”, deklaroi Ancelotti.

Ai foli gjithashtu për Xabi Alonson, i cili është lidhur me Real Madridin, si trajner i ardhshëm.

“Xabi Alonso nuk ka nevojë për asnjë këshillë nga unë pasi është një trajner i shkëlqyer. Ai ka gjithçka për t’u bërë një trajner shumë, shumë i mirë”, nënvizoi Ancelotti.

Italiani e bëri të qartë se është krenar për kohën e tij në klub dhe është gati për kapitullin tjetër.