Administrata Trump gati të ndërpresë kontratat me Harvardin në vlerë 100 mln dollarë

Qeveria federale e Shteteve të Bashkuara është gati të urdhërojë agjencitë e saj që të anulojnë kontrata me vlerë rreth 100 milionë dollarë me Universitetin e Harvardit.

Kjo është kritika më e fundit ndaj universitetit, i cili ka refuzuar t’i bindet kërkesave të Shtëpisë së Bardhë për ndryshime në politikat e tij, në një kontekst më të gjerë të një sulmi politikisht të ngarkuar ndaj institucioneve të arsimit të lartë në SHBA.

Sipas këtyre zyrtarëve, udhëzimi i ri për Harvardin do të bëhet publik të martën, përmes një letre zyrtare, e cila do t’u kërkojë agjencive qeveritare të identifikojnë kontratat aktuale dhe të shqyrtojnë mundësinë që ato të anulohen ose të ridrejtohen te institucione të tjera. Administrata e Shërbimeve të Përgjithshme (GSA) do të dërgojë një letër të posaçme për të udhëzuar të gjitha agjencitë federale që të raportojnë çdo kontratë që kanë me Harvardin dhe të përcaktojnë nëse këto kontrata mund të ndërpriten ose të transferohen.

Raportimi i parë për këto masa të reja është bërë nga New York Times, e cila ka zbuluar planet për këto shkurtimet e reja financiare, që vijnë mbi një fond prej 2.65 miliardë dollarësh në financime federale që janë ndërprerë kohët e fundit për Harvardin.

Ky institucion, më i vjetri dhe më i pasuri në vend, ka paditur administratën Trump muajin e kaluar, duke e akuzuar për ngrirjen e 2.2 miliardë dollarëve në forma të ndryshme financimi, përfshirë grante dhe kontrata. Që nga ajo kohë, janë ndaluar edhe 450 milionë dollarë të tjerë, duke i shkaktuar një goditje të fortë financiare universitetit.

Javën e kaluar, administrata Trump revokoi të drejtën e Harvardit për të regjistruar studentë të huaj, një vendim që aktualisht është pezulluar nga një gjyqtar federal dhe që pritet të shqyrtohet në një seancë gjyqësore këtë të martë. Sipas përfaqësuesve ligjorë të universitetit, ky vendim përbën një hakmarrje të hapur për shkak të refuzimit të Harvardit për të zbatuar kërkesat e qeverisë lidhur me politikat arsimore me ngjyrim ideologjik.

Presidenti Trump ka paralajmëruar më tej se mund të ndërpresë edhe 3 miliardë dollarë të tjerë në fonde federale për Harvardin, dhe po shqyrton heqjen e statusit të përjashtimit nga taksat për universitetin, një veprim që mund të ketë pasoja të rënda financiare për institucionin.