20 mijë produkte të konfiskuara këtë vit është konstatuar se janë të falsifikuara

Për mbi gjashtë mijë parfume, pesë mijë palë këpucë, pesë mijë copë veshje si dhe produkte të tjera të cilat Drejtoria e Doganave i ka sekuestruar këtë vit, është konstatuar se janë të falsifikuara. Siç njoftuan sot nga Drejtoria e Doganave, bëhet fjalë për 20 mijë produkte që mbanin emrin e 57 markave të mbrojtura tregtare.

Nëpunësit doganorë në pikat kufitare dhe ekipet mobile doganore, kanë zbuluar 51 raste të shkeljes së të drejtës dhe pronësisë intelektuale gjatë më pak se pesë muajve të këtij viti, nga të cilat në 19 raste tashmë është konstatuar se bëhet fjalë për mallra të falsifikuar që synonin të shiteshin në tregun e Maqedonisë.

“Përpjekjet në luftën kundër tregtisë me mallra të falsifikuara janë njohur edhe nga përfaqësuesit e markave, si dhe nga REAKT Ballkan – Organizata globale për luftën kundër falsifikimit. Me këtë rast, doganat, Sektori për kontroll dhe hetime dhe Sektori për akciza, nga ana e Organizatër globale janë shpërblyer për kontribut të jashtëzakonshëm në luftën kundër tregtisë me mallra të falsifikuara”, njoftuan nga Drejtoria Doganore.

Drejtori Boban Nikollovski së bashku me ekipin e tij mbajtën mbledhje me Katerina Haxhistojanova, menaxhere e REAKT Ballkan, si dhe me përfaqësues të markave, me qëllim të përmirësimit dhe përshpejtimit të procedurave për përcaktimin e origjinalitetit të produkteve. Në takim u diskutua edhe për nevojën e asgjësimit të mallrave që janë konfirmuar si falsifikime, sa më shpejt të jetë e mundur.

Nga ana e përfaqësuesve të shoqërive tregtare dhe REAKT Ballkan, thuhet në njoftim, është theksuar se është vërejtur një përparim i jashtëzakonshëm i Drejtorisë Doganore në luftën kundër tregtisë me mallra të falsifikuara, për çka dëshmojnë edhe statistikat zyrtare të drejtorisë.