Zhegrova në listën e transferimeve të Barcelonës

Katalanasja SPORT ka raportuar ditën e sotme një lajm vërtet të bujshëm ku thuhet Edon Zhegrova është në listën e transferimeve që Barcelona synon të sigurojë gjatë merkatos së ardhshme verore.

Sipas SPORT, cilësitë teknike të Zhegrovës dhe aftësia e tij për të luajtur si në krahun e majtë ashtu dhe në të djathtë, e bëjnë atë një profil shumë tërheqës për drejtuesit e Barcelonës.

Kontrata e Zhegrovës me Lille skadon në verën e vitit 2026, por lojtari dhe agjenti i tij kanë njoftuar klubin rancez se duan të largohen që në fund të këtij sezoni. Lille është e gatshme të lëjojë largimin e Zhegrovës, për të mos e humbur atë si lojtar i lirë një vit më vonë. Edhe pse ende nuk flitet për shifra zyrtare, Lille pret të përfitojë 30-35 milionë euro nga shitja e yllit të Kosovës.

Përveç Zhegrovës, Barcelona është e interesuar edhe për dy lojtarët e tjerë të Lille, portierin Lucas Chevalier dhe sulmuesin kanadez Jonathan David. Për Zhegrovën, ka një interes të madh edhe nga Napoli, klubi Italian e sheh shqiptarin si zëvendësuesin e mundshëm të Kvaratskhelia-s.