WFP: “Rezervat ushqimore në Gaza po mbarojnë”

Programi Botëror i Ushqimit (WFP) njoftoi sot se kanë “shteruar të gjitha rezervat ushqimore” për familjet në Gaza ndërsa pikat kufitare mbeten të mbyllura që nga 2 marsi, transmeton Anadolu.

“Sot, WFP-ja dorëzoi rezervat e fundit të ushqimit në kuzhinat e ushqimeve të ngrohta në Rripin e Gazës”, tha agjencia në një deklaratë.

Agjencia vuri në dukje se këto kuzhina, një nevojë jetësore që siguron vetëm gjysmën e popullsisë me 25 për qind të nevojave ditore për ushqim, pritet t’i harxhojë plotësisht furnizimet brenda disa ditësh.

Agjencia e OKB-së vuri në dukje se 25 furrat e bukës që ka mbështetur u mbyllën më 31 mars pasi mbaruan miellin e grurit dhe karburantin për gatim. Pakot ushqimore të shpërndara familjeve kanë mbaruar po atë javë. Ajo paralajmëroi për një “mungesë të rëndë të ujit të sigurt dhe karburantit për gatim, duke i detyruar njerëzit të kërkojnë gjëra për të djegur për të gatuar një vakt”.

Gaza është përballur me mbylljen më të gjatë të pikave të saj kryesore kufitare në histori, pa hyrë asnjë furnizim humanitar ose komercial për më shumë se shtatë javë. WFP-ja raportoi se çmimet e ushqimeve janë rritur deri në 1.400 për qind krahasuar me kohën e armëpushimit ndërsa mallrat thelbësore janë në mungesë kritike, duke ngritur “shqetësime serioze për ushqyerjen” për grupet vulnerabël, përfshirë fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna dhe gjidhënëse dhe të moshuarit.

Më shumë se 116 mijë tonë metrikë ndihma ushqimore, të mjaftueshme për të ushqyer një milion njerëz për katër muaj, janë gati të hyjnë sapo të rihapen kufijtë, tha agjencia.

“Situata brenda Rripit të Gazës ka arritur përsëri në një pikë kritike: njerëzve po u mbarojnë mënyrat për të përmbushur nevojat”, paralajmëroi WFP-ja.

Agjencia u bëri thirrje të gjitha palëve të “prioritizojnë nevojat e civilëve dhe të lejojnë që ndihma të hyjë menjëherë në Gaza dhe të përmbushin detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar humanitar”.