Vrasja e policit Lika, imami Jashari bën thirrje për ruajtje të qetësisë dhe besim në institucione (VIDEO)

Bashkësia Islame e Kosovës, gjatë ditës së premte, u ka kërkuar të gjithë imamëve të ligjërojnë dhe ta dënojnë vrasjen e rreshterit Muhamed Lika, i cili u privua nga jeta natën e 1 prillit në hyrje të banesës së tij në Kaçanik.

Në lidhje me këtë, në emisionin “Edicioni Special” në Klan Kosova, mbrëmë ka folur imami Bekim Jashari.

“Ne duhet të flasim në atë që e dimë dhe jo në atë që supozohet. Në këtë rast, çdo gjë që e flasim, bëjë thirrje që janë organet e drejtësisë, kemi kuadro dhe strukturë të mirë të organeve të sigurisë që do ta zbardhin këtë rast. Është shumë me rëndësi të dihet motivi, por nuk guxojmë t’i shpallim fajtorët para kohe, pasi në rrjete sociale u shpall fajtori. Këtë rast, mendoj që organet e drejtësisë do ta zbardhin, me vet faktin që po bëhet një punë intensive e policisë. Ndërsa, motivet janë çështje të drejtësisë e cila në ndërkohë njofton për këtë”, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, ai tha se përpara dhënies së gjykimit se kinse elementi islam mëson një gjë a tjetrën, duhet ruajtur qetësia, uniteti dhe dashuria mes shqiptarëve, teksa bëri thirrje që gjërat të merren me maturi dhe të besohet në institucione.

Lidhur me vrasjen e rreshterit policor, institucionet e sigurisë deri më tani kanë arrestuar disa persona, derisa hetimet ende po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rastit.