Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen ka përshëndetur vendimin e presidentit amerikan për pezullimin e taksave për 90 ditët e ardhshme, transmeton TV21. Von der Leyen në platformën X ka shkruar se vendimi për pezullimin e tarifave është hap i rëndësishëm drejt stabilizimit të ekonomisë globale. Tutje potencon se tarifat janë taksa që dëmtojnë vetëm bizneset dhe konsumatorët.
“Unë e mirëpres njoftimin e Presidentit Trump për ndalimin e tarifave reciproke. Është një hap i rëndësishëm drejt stabilizimit të ekonomisë globale.
Kushtet e qarta dhe të parashikueshme janë thelbësore për funksionimin e zinxhirëve të tregtisë dhe furnizimit.
Tarifat janë taksa që dëmtojnë vetëm bizneset dhe konsumatorët”, ka shkruar presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Kujtojmë se presidenti i SHBA-ve Donald Trump të mërkurën njoftoi një ndërprerje 90 ditore të tarifave që kishte vendosur ndaj vendeve në të gjithë botën./TV21