VMRO-DPMNE: Anëtarët e Këshillit Gjyqësor me mosbesim të votuar, në vend që të japin dorëheqje, arsyetojnë dënime me dy vite burg për vrasjen e një vajze të re në vijat e bardha

Në vend që të sjellë drejtësi për popullin, gjyqësori punon vetëm për të mbrojtur anëtarët e vet që shpërndajnë padrejtësi ose që e shpërndajnë drejtësinë në mënyrë selektive.

Me veprimin e djeshëm, Këshilli Gjyqësor vetëm e konfirmoi këtë. Këshilli Gjyqësor u vu në shërbim dhe mbrojtje të një gjyqtari për të cilin jeta njerëzore vlen vetëm dy vite burg. Ata po e mbrojnë gjyqtarin që i shqiptoi vetëm dy vite burg një shoferi që përplasi dhe vrau një vajzë të re teksa kalonte në vijat e bardha, dhe po e mbulojnë turpin e tij.

Të gjithë këta anëtarë të Këshillit Gjyqësor janë njerëz të Zoran Zaevit, të emëruar nga qeveria e mëparshme e LSDM-së dhe BDI-së, të cilët tani së bashku po shkelin drejtësinë dhe po rrënojnë shtetin.
Pikërisht kjo ishte arsyeja pse u votua mosbesimi ndaj tyre.
Por ata, pa ndjenjë turpi, morali dhe integriteti, në vend që të japin dorëheqje, me mocione të rrëzuara për shkarkim vazhdojnë të prodhojnë padrejtësi.

Ky është ai gjyqësor, i lulëzuar si një pupël e Zaevit, i cili për një porcion qebap jep pesë vite burg, për tërheqje për flokësh të Radmilla Shekerinskës – katër, ndërsa për një jetë të humbur vetëm dy vite burg.

Këto vendime të turpshme të gjyqësorit, të mbrojtura dhe të përkrahura nga Këshilli Gjyqësor, ndikojnë drejtpërdrejt në humbjen e shpresës së qytetarëve se drejtësia në Maqedoni është e mundur dhe ekziston.

Por ky sistem i kalbur gjyqësor do të bjerë dhe do të shembet. Në shtet do të ketë përgjegjësi dhe do të ketë një sistem gjyqësor të pavarur dhe kredibil, në të cilin do të përfshihen profesionistë të lartë me integritet moral dhe kredibilitet të lartë.