Vendi shfrytëzohet për transit nga emigrantët, ndërkohë të shumta janë keqpërdorimet

Numri më i madh i emigrantëve që muajt e fundit kanë kaluar transit nga Maqedonia e Veriut kanë qenë shtetas të Sirisë, më pas janë ato të shteteve si India, Pakistani dhe Bangladeshi. Në këto situata nuk mungojnë edhe personat e vendit tonë të cilët shfrytëzojnë rastet e keqpërdorimit t të emigrantëve. Nga kontrollet e shtuara të policisë, disa ditë më parë në një objekt në rajonin e Shkupit, zyrtarët policorë gjetën gjashtë emigrantë, të cilët po mbaheshin në objekt nën kërcënim.

“Në një objekt në fshatin Studeniçan, Rajoni i Shkupit, në pronësi të M.SH. (50) nga i njëjti fshati, zyrtarët policorë gjetën gjashtë emigrantë, të cilët po mbaheshin në objekt me forcë dhe kërcënime. Në lidhje me ngjarjen dhe për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale, pronari dhe K.SH. (25), U.SH. (26) dhe A.SH. (59), nga fshati Studeniçan, si dhe B.B.(28), A.B. (55) dhe A.B. (32), të gjithë nga Shkupi, janë privuar nga liria.” – MPB

Gjashtë emigrantë mbaheshin me kërcënime
Gjashtë persona janë privuar nga liria
Sipas udhëheqësit të organizatës “Legis”, Jasmin Rexhepi, emigrantët të cilët kalojnë transit shtetin tonë kohëve të fundit ishin më së shumti nga Siria, persona të cilët para rënies së regjimit në Siri, kishin nisur udhëtimin për t’u bashkuar me familjarë të tyre në vendet evropiane.

Numri më i madh i personave që janë transit nga Maqedonia janë ato të Sirisë. Shumica janë ose familje ose të rinj të cilët veç më kanë nisur atë rrugë përpara se të ndryshohet Qeveria atje dhe të cilët nuk kanë dashur të qëndrojnë dhe të jenë të rekrutuar dhe të jenë ushtar dhe të marrin pjesë në luftë atje. Më pas kemi nga shtete tjera siç është India, Pakistani dhe Bangladeshi, dhe po ashtu nga shtetet e Afrikës veriore si Maroko dhe Algjeria dhe po ashtu kemi edhe nga Iraku dhe Afganistani,” deklaroi Jasmin Rexhepi – Udhëheqës i “Legis”.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se kontrollet e shtuara të policisë vazhdojnë edhe më tej lidhur me luftën kundër kontrabandës së emigrantëve.