Veliaj xheloz për ish-shoferin e Ajolës: Pse Mandi pyet kur do dalim?

Në një tjetër fragment të përgjimeve të publikuara këto ditë në media nga qelia e paraburgimit të Durrësit, Erion Veliaj dëgjohet teksa bisedon me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, vëllain e saj dhe persona të tjerë, duke u dhënë udhëzime për sjelljen që duhet të mbajnë në publik pas arrestimit të tij.

Mes shumë komunikimeve të përgjuara nga SPAK, bie në sy një bisedë mes çiftit Veliaj-Xoxa, ku Veliaj, pasi ka lexuar vendimin prej mbi 300 faqesh të Gjykatës së Posaçme, i referohet mesazheve dhe dëshmisë së një shtetasi të quajtur Mandi i cili më parë ka qenë shofer personal i Ajola Xoxës.

Në këtë bisedë, Veliaj shpreh hapur pakënaqësinë dhe një lloj xhelozie ndaj ndërveprimit të ish-shoferit me arkitektin Ols Efthimi, duke thënë: “Pse Mandi (ish-shoferi Ajolës) duhet të pyesë Olsin ‘kur do dalim, kur do shkojmë në Qerret, kur do zbresësh lart, kur do ikësh poshtë’…”.

Ajola, nga ana e saj, përpiqet ta sqarojë situatën duke i thënë se mesazhet i referoheshin tarracës që po rregullohej, ndërsa e pyet Veliajn: “Pse pyet…? Çfarë muhabeti është ky që më bën…”

Më tej, Veliaj e pyet nëse i kishte dhënë dorën prokurorit ditën e paraqitjes në gjykatë, por Ajola përgjigjet: “Jo”. Veliaj e quan prokurorin “qelbësirë” dhe shton se “nuk e meriton t’i japësh dorën, t’i flasësh me mirësjellje.”