Vazhdon ‘ndjekja’ për Wikipedian

Prokurori Ed Martin pretendon se Wikipedia po manipulohet nga “aktorë të huaj”.

Administrata Trump vazhdon përpjekjet e saj në lidhje me qasjen e lirë në informacion – këtë herë duke synuar Wikipedian.

Më herët këtë javë, Ed Martin, Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së në detyrë për Distriktin e Kolumbias dhe një i emëruar nga Trump, i dërgoi një letër Fondacionit Wikimedia duke e akuzuar atë për ‘përhapje propagande’ dhe duke kërcënuar se do t’i japë fund statusit të tij jofitimprurës, raporton Gizmodo.

Në një letër të botuar për herë të parë nga The Free Press, Martin pretendon se Wikipedia lejon manipulimin e informacionit nga aktorë të huaj, rishkrimin e ngjarjeve historike dhe të dhënave biografike të udhëheqësve amerikanë, duke kërcënuar kështu sigurinë kombëtare të SHBA-së.

Ai deklaroi gjithashtu se shumica e anëtarëve të bordit të Fondacionit nuk janë shtetas amerikanë, gjë që ai pretendon se “minon interesat e taksapaguesve amerikanë”.

Fondacioni Wikimedia duhet t’i përgjigjet kësaj kërkese dhe të ofrojë dokumentacionin e kërkuar deri më 15 maj.

Kjo nuk është hera e parë që Martin ka përdorur një memo zyrtare qeveritare për të sulmuar organizatat që nuk pajtohen me politikën e administratës.

Kohët e fundit ai u dërgoi letra të ngjashme revistave mjekësore si CHEST Journal dhe The New England Journal of Medicine, duke i akuzuar ato për ‘paragjykim’ për shkak se dyshohet se nuk kanë publikuar mjaftueshëm opinione shkencore kundërshtare.

Duke pasur parasysh që Elon Musk, i cili mbështetet në mënyrë aktive nga administrata Trump, shpesh e ka sulmuar Wikipedia-n, duke e quajtur atë ‘Wokepedia’ dhe duke e akuzuar për përhapjen e ‘propagandës së trashëguar mediatike’, kjo seri ngjarjesh nuk është për t’u habitur.

Shumë organizata për lirinë e fjalës i kanë dënuar tashmë kërcënimet e Martinit si përpjekje për të frikësuar dhe shtypur kritikat ndaj administratës.