Vazhdon gjykimi për vrasjen e Vanjës dhe Pançes, dëshmon i akuzuari kryesor Lupço Palevski – Pallço

Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup sot vazhdon gjykimi për vrasjen e Vanja Gjorgjievskës dhe Pançe Zhezhovskit me dëshminë e të akuzuarit të parë, Ljupço Palevski, i cili pritet t’u përgjigjet pyetjeve të kryqëzuara nga Prokuroria dhe mbrojtja e të akuzuarve të tjerë.

Në seancën e kaluar, Palevski, duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të tij Jovica Strašeski, mohoi përgjegjësinë për vrasjen e dyfishtë, duke pretenduar se nuk ka motiv për një krim të tillë dhe se është viktimë e një “atentati moral”, i organizuar nga struktura politike dhe mediatike.

Sipas tij, akuzat janë pjesë e përpjekjeve për ta diskredituar për shkak të aktiviteteve të tij kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave në vend, si dhe për angazhimin e tij politik për organizimin e një referendumi lidhur me çështjen me Bullgarinë.

Palevski i hodhi poshtë akuzat për ngjarjet e 22 nëntorit 2023, ditën kur, sipas Prokurorisë, u vra Pançe Zhezhovski, duke theksuar se kohët dhe faktet e përmendura në aktakuzë nuk përputhen me realitetin.

Ai është dëshmitari i fundit që do të dëshmojë, pasi paraprakisht, përveç dëshmitarëve të Prokurorisë, u morën në pyetje babai i Vanjës, Aleksandar Gjorgjievski, si dhe të akuzuarit e tjerë.

I akuzuari Velibor Manev i shpjegoi rrëmbimet dhe vrasjet e Vanjës dhe Pançes, duke theksuar se organizatori kryesor ishte Ljupço Palevski. Bore Videvski mohoi pjesëmarrjen e tij në ngjarje, ndërsa Vllatko Keshishev theksoi se nuk ka qenë i pranishëm gjatë ngjarjeve, pasi zakonisht i jepej detyra të ruante rojë.

Sipas aktakuzës, Ljupço Palevski, Bore Videvski, Velibor Manev, Vllatko Keshishev dhe Aleksandar Gjorgjievski, së bashku planifikuan rrëmbimin e Vanjës 14-vjeçare me qëllim që të detyrojnë një anëtar të ngushtë të familjes së saj të japë para për shpërblim. Ndërsa rrëmbimi i Pançe Zhezhovskit në Veles, sipas aktakuzës, ishte me qëllim që ta detyrojnë të dorëzojë veturën e tij “Citroen”, për ta përdorur në rrëmbimin e vajzës në Shkup.

Vanja dhe Pançe u raportuan si të zhdukur më 27 dhe 24 nëntor, ndërsa më 3 dhjetor 2023 u gjetën të vdekur në afërsi të Shkupit dhe Velesit.