Trumpi mendon se Zelensky është i gatshëm për të hequr dorë nga Krimea

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se mendon që homologu i tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, është i gatshëm që të heqë dorë nga Gadishulli i Krimesë, pavarësisht deklaratat e mëhershme të presidentit ukrainas rreth këtij territori, të cilin Rusia e ka aneksuar në vitin 2014.

Duke folur para gazetarëve në një aeroport në New Jersey të dielën, një ditë pasi u takua me homologun ukrainas në Vatikan, Trumpi tha “Oh, mendoj se po”, në përgjigjen ndaj pyetjes nëse mendon që Zelensky është i gatshëm për të “dorëzuar” territor, raporton gazeta “The Guardian”.

Zelensky tha javën e kaluar se Ukraina nuk do të mund ta pranonte njohjen e aneksimit rus të Krimesë nga Shtetet e Bashkuara, pasi Trumpi e akuzoi për kokëfortësi rreth kësaj çështjeje. Zelensky të premten këmbënguli se Krimea është “pronë e popullit ukrainas”. Ai nuk iu kundërpërgjigj menjëherë komenteve të fundit të presidentit amerikan.

Dy sete të planeve për paqe, të publikuara të premten nga agjencia e lajmeve “Reuters”, treguan se Shtetet e Bashkuara janë duke propozuar që Rusia ta mbajë territorin ukrainas që e ka pushtuar, përfshirë Krimenë.

Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, tha të dielën se propozimi amerikan që Ukraina t’i dorëzojë territor Rusisë është “i ngjashëm me kapitullimin”.

Pavarësisht nga komentet rreth Krimesë, Trumpi shprehu dhembshuri të re për homologun ukrainas të dielën, duke thënë se ai “dëshiron që të bëjë diçka të mirë për vendin e vet” dhe “është duke punuar fort”.

Duke reflektuar rreth bisedës së tij me Zelenskyn, Trumpi tha gjithashtu se ishte “i befasuar dhe i zhgënjyer, shumë i zhgënjyer” që Rusia e bombardoi Ukrainën pas diskutimeve mes presidentit rus, Vladimir Putin, dhe emisarit të presidentit amerikan për paqe, Steve Witkoff. “Isha shumë i zhgënjyer që raketat po fluturonin, nga Rusia” – deklaroi kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Më tej, ai shtoi se Zelensky i tha që “i duhen më shumë armë, por ai ka qenë duke e thënë këtë qe tre vjet”.

Kur u pyet se çfarë dëshiron ai që të bëjë Putini, presidenti amerikan tha: “Dua që ai t’i ndalë të shtënat. Ulu dhe nënshkruaje marrëveshjen. I kemi kufijtë e një marrëveshjeje, besoj, dhe dua që ai ta nënshkruajë atë dhe të mbarojë me të.”/Nacionale