Trump tërhiqet përkohësisht nga tarifat! Një kthesë strategjike apo lëvizje taktike?

Pas ditësh të tëra që Donald Trump dhe Shtëpia e Bardhë këmbëngulnin për vendosmërinë e tyre në vendosjen e tarifave të reja “reciproke” ndaj dhjetëra vendeve, presidenti amerikan ka bërë një kthesë të papritur. Trump ka pezulluar për 90 ditë vendosjen e tarifave, me disa përjashtime të veçanta.

Megjithatë, ky pezullim është realitet dhe premtimi i Trump për një epokë të artë të prodhimit amerikan duket se do të presë edhe pak.

Sipas administratës, kjo ishte pjesë e planit që në fillim: të shkohej me forcë në aplikimin e tarifave dhe më pas të hapej rruga për negociata me secilin vend veç e veç. “Mbi 75 vende na janë drejtuar për të diskutuar. Dhe pas kësaj, me siguri do të ketë edhe më shumë,” deklaroi Sekretari i Thesarit, Scott Bessent.

Megjithatë, është e vështirë të anashkalohet paniku i tregjeve, rënia e obligacioneve dhe kritikat gjithnjë e më të ashpra nga brenda Partisë Republikane, të cilat ushtruan presion në këtë kthesë.

A ishte kjo një tërheqje strategjike përballë kundërshtimeve të papritura, apo një tjetër episod i strategjisë së Trump për të negociuar përmes presionit?

Zyrtarët më të lartë të Shtëpisë së Bardhë, mes tyre edhe këshilltari tregtar Peter Navarro dhe sekretarja për shtyp Karoline Leavitt, dolën menjëherë në mbrojtje të lëvizjes së presidentit, duke e cilësuar si pjesë të planit fillestar. “E gjithë bota po telefonon Shtetet e Bashkuara,” tha Leavitt, duke nënvizuar se interesimi ndërkombëtar është rritur pas vendimit.

Sidoqoftë, edhe pas njoftimit në platformën Truth Social, detajet mbi pezullimin e tarifave mbetën të paqarta: A përfshiheshin BE-ja, Meksika dhe Kanadaja në këtë pezullim 90-ditor? Çfarë ndodhte me sektorët e veçantë?

Në një reagim më të matur, vetë Trump pranoi të mërkurën se “tregjet dukeshin të zymta” dhe se “njerëzit po ndiheshin të shqetësuar” një reflektim që sfidon qëndrimin e fortë të ditëve të kaluara. Përmes një postimi të mëparshëm, ai u kërkonte qytetarëve të “qetësoheshin” dhe premtonte se “gjithçka do të shkonte mirë”.

Megjithëse trump vijon të mbrojë vendimin si të domosdoshëm për të shëruar ekonominë amerikane. Udhëheqësi i pakicës në Senat, Chuck Schumer, i quajti lëvizjet e Trump si formën e një “qeverisjeje nëpërmjet kaosit”. “Po tërhiqet, po lëkundet dhe kjo është një gjë e mirë,” tha ai.

BBC shkruan se realiteti është se SHBA po tregon një qëndrim më të butë ndaj aleatëve të saj tregtarë, edhe pse tarifa e përgjithshme 10% mbetet në fuqi.

Tregjet financiare kanë reflektuar pozitivisht këtë tërheqje, ndërsa administrata Trump po përqendrohet tani në përshkallëzimin e luftës tregtare me Kinën, vend të cilin e ka goditur me tarifa 125%.

Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse mënyra se çfarë do të ndodhë pas 90 ditësh, kur pauza të përfundojë dhe gjithë kjo dramë ekonomike mund të rikthehet nga e para.