Trump përmend Richard Grenellin si ambasador të mundshëm të SHBA-së në OKB

Presidenti Donald Trump tha të hënën se kishte disa kandidatë të mundshëm për ambasador të SHBA-së në Kombet e Bashkuara, duke përfshirë Richard Grenell, një ish-ambasador në Gjermani dhe David Friedman, një ish-i dërguar në Izrael.

Javën e kaluar Trump tërhoqi nominimin e përfaqësueses Elise Stefanik për këtë detyrë për shkak të shqetësimeve se dalja e saj nga Dhoma e Përfaqësuesve mund të kërcënojë shumicën e ngushtë të republikanëve.

Dhe i pyetur të hënën se kë po konsideronte në vend të kësaj, Trump tha se rreth 30 njerëz ishin të interesuar për këtë punë, shkruajnë mediat e huaja.

Ai përmendi Grenellin, tani një i dërguar special për administratën e tij, si dhe presidentin e përkohshëm të Qendrës Kennedy, dhe Friedman, ambasadorin në Izrael gjatë mandatit të parë të Trump në detyrë.

“Ne kemi shumë njerëz të mirë që e dëshirojnë atë”, u tha Trump gazetarëve në Zyrën Ovale.

“Kemi shumë njerëz që kanë pyetur për këtë, do të donin ta bënin: David Friedman, Ric Grenell dhe ndoshta 30 njerëz të tjerë. Të gjithë e duan atë pozicion…”.

Kujtojmë se ish-guvernatorja e Karolinës së Jugut, Nikki Haley shërbeu si ambasadore e SHBA-së në Kombet e Bashkuara gjatë pjesës së parë të mandatit të parë të Trump.

Ajo kandidoi kundër Trump për nominimin presidencial republikan vitin e kaluar, garë të cilën nuk e fitoi.