Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka konfirmuar se dëshiron ta njohë Krimenë e pushtuar si pjesë të Rusisë.
Ai gjithashtu nuk beson në aftësinë e Ukrainës për t’u anëtarësuar ndonjëherë në NATO.
Në një intervistë për revistën Time, lideri amerikan edhe një herë e akuzoi Ukrainën se ka filluar luftën me Federatën Ruse.
Sipas tij, presidenti rus Vladimir Putin vendosi të sulmonte pasi Kievi kishte shprehur dëshirën për t’u bërë anëtar i Aleancës së Atlantikut të Veriut.
“Mendoj se lufta filloi kur ata nisën të flasin për anëtarësim në NATO. Krimea do të mbetet pjesë e Rusisë”, konfirmoi 78-vjeçari.
Gazetari e pyeti udhëheqësin e SHBA-së pse kishte thënë se do ta ndalonte luftën në Ukrainë që në ditën e parë të mandatit.
“E kam thënë si një ekzagjerim, për të theksuar çështjen — dhe ju e dini që këtë, natyrisht, e shfrytëzojnë lajmet e rreme. Është e qartë që njerëzit e dinë se kur e kam thënë atë, nuk kam pasur seriozisht ndër mend, por njëkohësisht u tha se kësaj do t’i vihej fundi”, shpjegoi Trump.
Ndryshe, qyteti i Krimesë, Sevastopol, është vendi ku ndodhet një port i rëndësishëm për ujëra të ngrohta.
Aty është selia e Flotës së Detit të Zi të Rusisë – megjithatë pas sulmeve ukrainase, ajo ka zhvendosur asetet e saj kryesore. Ky territor strategjik në Detin e Zi ka një histori të gjatë, përfshirë Luftën e Krimesë së vitit 1853-1856 ndërmjet Rusisë nga njëra anë dhe Britanisë, Francës dhe Perandorisë Osmane nga ana tjetër.