Saktësisht tetë vite më parë u organizua dhe u realizua hyrja e dhunshme në Kuvendin e Maqedonisë, e njohur si ‘E Enjtja e Përgjakshme’.
Më 27 prill 2017, gjatë zgjedhjes së kryetarit të ri të Kuvendit, Talat Xhaferi, një turmë protestuesish, të nxitur nga iniciativa “Për Maqedoni të përbashkët”, theu kordonin policor dhe hyri me dhunë në godinën e Kuvendit. Deputetë, gazetarë dhe nëpunës u sulmuan, ndërsa mbi 100 persona u plagosën.
Proceset gjyqësore përfunduan me gjithsej 211 vite burg për 16 të akuzuar, mes tyre edhe funksionarë të lartë të sigurisë. Dënimin më të lartë, prej 18 vitesh burg, e mori Mitko Çavkov, ndërsa të tjerët u dënuan me burgime nga 7 deri në 15 vjet.
Një pjesë e të akuzuarve, përfshirë deputetë dhe organizatorë të protestave, u amnistuan me ligjin e vitit 2018.
Prokuroria Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, në shkurt të këtij viti, informoi se pesë persona janë nën hetim për organizimin e ngjarjeve të 27 prillit.
Gjithashtu, prokuroria njoftoi se në fillim të vitit 2017, të dyshuarit kishin përgatitur dhe zbatuar një plan për të penguar dorëzimin paqësor të pushtetit. Për këtë qëllim, ata kishin organizuar dhe mbështetur materialisht protesta masive, fillimisht para Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, dhe më pas protestat e lëvizjes “Për Maqedoni të përbashkët”, të cilat kulmuan me hyrjen e dhunshme në Kuvend më 27 prill.