Numri i të vdekurve nga shembja e çatisë në një klub nate të njohur në Republikën Dominikane gjatë një koncerti është rritur në 79 pas gjetjes së trupave shtesë nga ekipet e shpëtimit, transmeton Anadolu.
Autoritetet lokale kanë konfirmuar se numri i të plagosurve nga incidenti mbetet 155.
“Me keqardhje të thellë konfirmojmë se numri i të vdekurve ka arritur në 79 si pasojë e kësaj fatkeqësie. Familjeve dhe të dashurve të tyre u shprehim solidaritetin dhe mbështetjen tonë më të thellë gjatë kësaj kohe pikëllimi”, tha Qendra Operative Emergjente.
Dy ish-lojtarë të Ligës së Bejsbollit janë në listën e viktimave pas incidentit, i cili ndodhi në klubin e natës “Jet Set” gjatë një koncerti të këngëtarit dominikan Rubby Perez.
Lojtarët Octavio Dotel dhe Tony Blanco ishin në klubin e natës kur ndodhi tragjedia.
Dotel luajti 15 sezone në Ligën e Bejsbollit midis viteve 1999 dhe 2013, duke përfaqësuar 13 ekipe. Ai ishte anëtar i ekipit St. Louis Cardinals që fitoi Serinë Botërore 2011.
Derisa autoritetet fillimisht raportuan shpëtimin e Dotel-it nga mbetjet e klubit, më vonë raportet e mediave treguan se ai ndërroi jetë derisa po transportohej në spital.
“Ne zemërthyer mësuam lajmin tragjik se ish-lojtari i Astros, Octavio Dotel, ishte një nga disa individët që vdiqën kur u shemb një çati në Republikën Dominikane mbrëmë”, tha Houston Astros, ekipi i Dotel-it nga viti 2000 deri në vitin 2004.
Blanco kaloi nëntë sezone në Ligën e Bejsbollit dhe më pas luajti për tetë vjet në Japoni. Ai ishte anëtar i Washington Nationals, duke luajtur 56 ndeshje, përfshirë debutimin e tij në vitin 2005.