Shkruan: TetovaSot
Gjithçka nisi dhe vazhdon me Arben Taravarin. Ai nuk mbahet me këmbë të qelqta, por me një vendosmëri dhe mision politik për t’u shërbyer më shumë votuesve sesa lakmisë për pushtet, siç e tha edhe vetë.
Por, ka gati një dekadë që ai shënjestrohet nga gjithë protagonistët tjerë politikë. Kur Taravarin e kanë rreth vetes, e ngrisin në qiell figurën e tij, ndërsa kur ai është larg tyre, i ngulin thikat ku do që munden.
Kur Taravari ishte ministër i Shëndetësisë për herë të parë, doli të jetë më i suksesshmi, madje edhe para vetë kryeministrit në atë kohë, Zoran Zaev. Në atë kohë, Arben Taravari ishte në të njëjtin koalicion me BDI-në, ndërsa kjo e fundit nuk kurseu lëvdata në adresë të tij për menaxhimin dhe punën e shkëlqyer si i pari i Shëndetësisë. Por kur ai u shkëput nga ky kulaç qeveritar, ai sërish u godit, duke u shndërruar në një ministër të dobët që “shkatërroi” shëndetësinë.
Sado që u sulmua para dhe pas, qytetarët e mbajnë mend, sepse ai ishte i pari që e nisi “Alo Taravari”, dhe nga ai moment nisi reforma në shëndetësi dhe erdhi shpresa e atyre që shihnin vdekjen nga dera e spitaleve të thyera dhe mjekëve të trishtuar para pacientëve të përlotur e gjunjëzuar para vdekjes.
Filloi buzëqeshja, buzëqeshnin edhe ata që i kishin varrosur shpresat përballë mjekëve të nervozuar. Nuk kishte më mjekë që bërtisnin pacientëve dhe nënave shqiptare, kishte mjekë që buzëqeshnin. Buzëqeshnin edhe muret e spitaleve dhe pacientët “shëroheshin” pa e prekur dora e mjekut, nga dashuria e ndryshimit.
Por sulmet nuk ndaluan, ndërsa emri i tij ngrihej dita-ditës edhe si i pari i Gostivarit, duke prekur çdo cep, çdo lagje e çdo vendbanim – diku më shumë, diku më pak – por këmba e tij shkeli për kudo për t’iu thënë banorëve se këtu jam, njësoj siç isha atje ku çoja telefonin çdo të sëmuri për t’ju ndihmuar. Jam edhe këtu për t’ju ndihmuar.
Ai vazhdoi rrugëtimin politik, edhe pse thikat e sulmet gjithmonë ishin në drejtim të tij, por nuk u ndal.
Taravari është si ajo thënia: “Gjithçka rrjedh”, vazhdon, ecën si lumi mbi gurët, por pa u ndalur askund.
Kur Arben Taravari qëndronte në zyrën katrore të Gostivarit, ëndrra e BDI-së dhe LEN-it ishte e njëjtë, dhe makineria e lavdatës dhe sulmeve rrinte gati. Nëse ai do të rreshtohej me BDI-në, Kasami, Mexhiti dhe Gashi do ta quanin “tradhëtar i kombit”, ndërsa BDI-ja do ta krahasonte si “shpëtimtar i kombit”.
Por, ai u rreshtua me LEN-in dhe u bë VLEN, duke e ndarë partinë e tij, por jo edhe misionin që kishte mbi supe. Nuk u quajt tradhtar nga BDI-ja e as nga lideri Ahmeti – ata heshtën, por mbeten të zemëruar – ndërsa sulmet nisën nga gjysma e ASH-së dhe nga vetë miku i zemrës, Ziadin Sela.
Taravari nuk u zmbraps. Vazhdoi në fushën e minuar të politikës me një mision më shumë për të shërbyer, sesa për të qenë një qeveritar përfitues.
Taravari është i vetmi deri tani që nuk qëndron anash politikës realiste të asaj që ai e sheh se po ndodh dhe i thotë gjërat hapur, kur diçka nuk funksionon brenda politikës. Taravari, duke qenë në Qeveri me VLEN, me gjuhën realiste të atij realiteti që e sheh çdo qytetar, tha se gjërat në këtë përbërje qeverisëse nuk shkojnë siç duhet. Ai numëroi, përveç ndryshimeve, edhe ato që kanë stagnuar.
Kjo frymë realiste e të thënit të gjërave kaq drejtpërdrejt, dikujt mund t’ia ketë prishur matematikat.
Andaj, kur ju prishën matematikat atyre që mashtrojnë, e shumëzuan me zero.
Dhe fiks tani, kur Taravari merr një rrugë tjetër, ata fillojnë ta shumëzojnë me zero.
Janë gjithsesi matematika të gabuara, sepse zeroja nuk është te figura e tij, por te të tjerët që pushtetin e shohin si interes dhe jo si ndryshim apo diçka të mirë që u sjell qytetarëve.
Shkurt e shqip: Kur Taravari është me një anë, ai vlen sa 100 politikanë, dhe në të kundërtën, kur Taravari ikën, ai shumëzohet me zero.
Rrugëtimi politik i Taravarit vazhdon, por problemi është se sot Arben Taravari është 1-shi, dhe jo zeroja.