Sudani njeh pavarësinë e Kosovës

Republika e Sudanit ka njohur zyrtarisht pavarësinë e Republikës së Kosovës, duke shënuar kështu një moment të rëndësishëm në përpjekjet ndërkombëtare të shtetit të Kosovës për zgjerimin e njohjeve.

Lajmi është konfirmuar nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi zyrtar në rrjetin social X, ku ajo shprehu mirënjohjen në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe theksoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje historike.

“Sudani ka njohur Republikën e Kosovës dhe dy vendet tona kanë rënë dakord të vendosin marrëdhënie diplomatike. Faleminderit nga populli i Republikës së Kosovës. Ky është fillimi i një partneriteti të madh!”, ka deklaruar Osmani në X.

Njohja është konfirmuar nga Ministri i Jashtëm i Sudanit, Ali Youssef, në Antalia ku po mbahet Forumi Diplomatik që mban e emrin e këtij qyteti bregdetar. Youssef gjatë fjalës së tij ka folur edhe për një takim me Presidentin e Turqisë Recep Tayyip Erdogan, paraprakisht.

Sudani është një nga shtetet më të mëdha të kontinentit të Afrikës, me mbi 50 milionë banorë e njëkohësisht edhe nga më të varfërit në botë.

Që prej dy vjetësh vendi është përfshirë në luftë civile, pasi ushtria dhe një grup i fuqishëm paraushtarak filluan luftë të egër për pushtet.

Lufta, e cila vazhdon edhe sot e kësaj dite, siç raportohet ka marrë më shumë se 150,000 jetë. Kombet e Bashkuara e kanë quajtur krizën më të madhe humanitare në botë duke njoftuar se rreth 12 milionë njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.

Sudani ka mbajtur “titullin” e shtetit më të madh në Afrikë deri në pavarësimin e Sudanit Jugor në vitin 2011.

Për dekada Sudani ka qenë shtet islamik, ndërsa nga viti 2020 republikë sekulare.

Njohja nga Sudani vjen disa javë pas njohjes nga Kenia, një shtet tjetër i rëndësishëm afrikan.