Studentët serbë nisin një ultramaratonë politike drejt Brukselit, kërkojnë të tërheqin vëmendjen ndërkombëtare
Demonstruesit në Serbi po përpiqen për të tërhequr edhe vëmendjen ndërkombëtare. Pas grupit të çiklistëve që ishte në Strasburg, një grup vrapuesish janë nisur tani drejt Brukselit.
Një grup studentësh serbë nisën të premten (25.04) një ultramaratonë politike drejt Brukselit. Ata duan të përshkojnë pothuajse 2,000 kilometra brenda 18 ditësh për të informuar përfaqësuesit e Parlamentit të BE-së rreth situatës politike në vend.
Në Serbi po zhvillohen prej disa muajsh protesta masive kundër qeverisë së Presidentit Aleksandar Vuçiç. Ato nisën pas aksidentit vdekjeprurës në stacionin e trenit në Novi Sad në nëntor 2024.
Sipas mediave serbe grupi përbëhet nga 21 studentë. Vrapuesit që do të përshkojnë gjashtë vende, ndër to edhe Austrinë dhe Gjermaninë, i shoqëron një automjet. Kur u nisën të premten në mëngjes nga Novi Sad, një nga pjesëmarrësit tha se ata po vraponin për një “Serbi më të mirë dhe demokratike”.
Çiklistët në Strasburgu
Vetëm një javë e gjysmë më parë një grup prej 80 studentësh serbë që u nisën me biçikletënga Novi Sadi u takuan në Strasburg me përfaqësues nga BE-ja dhe Këshilli i Evropës.
Atmosfera në Serbi vazhdon të jetë e acaruar. Studentët, që muajt e fundit po organizojnë protestat më të mëdha në historinë e Serbisë, e akuzojnë qeverinë Vuçiç për korrupsion, mungesë të lirisë së mediave dhe drejtim autoritar./ REL