Stevço Jakimovski dënohet me tre vjet e gjysmë burg

Kryetari i Komunës së Karposhit, Stevço Jakimovski është dënuar me tre vjet e gjysmë burg për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe për ndërtim pa leje, përcjell TV21. Për të njëjtën vepër, një ish-punonjës i komunës me iniciale T.Gj. është dënuar me dy vite burgim me kusht. Aktgjykimi ende nuk është i plotfuqishëm, ndërsa Jakimovski ka paralajmëruar ankesë, pasi pretendon se është i pafajshëm që nga fillim i procedurës.

“Gjykata e ka shpallur fajtor të akuzuarin S.J. për veprën penale ndërtim pa leje nga neni 244-a paragrafi 1 i Kodit Penal për ndërtimin e objektit të paluajtshëm – objekt administrativ i pushtetit Lokal, dhe për këtë vepër e ka dënuar me burgim prej 1 viti. Gjykata e dënoi të pandehurin S. J. dhe për veprën e kryer – Keqpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar nga neni 353 paragrafi 4, në lidhje me paragrafin 1 lidhur me nenin 45 të Kodit Penal, me burgim prej 3 vjet”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Gjykatës Penale.