Snopçe: Shpresojmë në zbardhjen e rasteve tragjike si Koçani, spitali modular dhe Besa Transi (VIDEO)

Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, gjatë interpelancës ndaj ministrit për Punë të Brendahme Pançe Toshkovski, ka deklaruar se historikisht kemi pasur qeveri të papërgjegjshme të cilët kanë dështuar kryesisht jo për mungesë së dijes politike, por për shkak të imoralitetit politik, që definohet si mungesë të vullnetit për tu angazhuar në interes të përgjithshëm të qytetarëve dhe të shtetit.

“Ne sinqerisht besojmë në moralin dhe shpresojmë se ministri e ka vullnetin e sinqertë për një angazhim transparent për të dalë e vërteta në lidhje me rastin tragjik në Koçan. Dhe jo vetëm, shpresojmë fuqishëm edhe për reflektimin e moralit politik, respektivisht vullnetin e palëkundur për zbardhjen edhe të rasteve tjera tragjike si spitali modular në Tetovë dhe Besa Transi”, tha Snopçe.

Sipas tij, për arsye të këtij besimi të plotë në këto vlera, në moral dhe në vullnetin e palëkundur, ne nuk e përkrahim interpelancën ndaj ministrit.