Shkolla “Naim Frashëri” – Studeniçan nderohet me tre mirënjohje në Ditën Ndërkombëtare të Librit

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Librit dhe të Drejtës së Autorit, sot në Universitetin e Evropës Juglindore – kampusi në Shkup, u organizua një aktivitet kulturor-informues, i cili vuri në qendër rëndësinë e librit dhe promovimin e leximit në mesin e studentëve, pedagogëve dhe stafit akademik.

Më këtë rast nxënëset e Shkollës Fillore Qendrore “Naim Frashëri” – Studeniçan, Komuna e Studeniçanit, Besa Ramadani dhe Emira Bajrami nga Klubi i Librit “Naim Frashëri” i kësaj shkolle u dekoruan me mirënjohje, ndërsa profesoresha e gjuhës dhe letërsisë shqipe e kësaj shkolle, shkrimtarja, publicistja dhe udhëheqësja e këtij klubi, Mimoza Mustafai Jonuzi u dekorua me mirënjohje për aktivitetin e saj në letërsi dhe publicistik.

Pjesë e rëndësishme e programit ishte paneli letrar me temën: “Libri si pasuri e mendjes dhe shpirtit: Si ndërtohet një shoqëri lexuese” – në të cilin Mustafai-Jonuzi foli për rëndësinë e librit dhe dobitë e të lexuarit.

Ngjarjen e hapi Drejtori i kampusit në Shkup, Prof. Dr. Veland Ramadani, i cili në fjalimin e tij theksoi rolin kyç të leximit në zhvillimin intelektual të të rinjve dhe rëndësinë e librit si pasuri e dijes dhe shpirtit.

Bibliotekistja e Universitetin e Evropës Juglindore – kampusi në Shkup, Silvete Osmani mbajti një prezantim me fokus në Ditën Ndërkombëtare të Librit dhe rëndësinë e saj, ku theksoi rolin e librit si një mjet i paçmueshëm për shpërndarjen e dijes. Libri, sipas saj, është një urë që na lidh me të kaluarën, na ndriçon të tashmen dhe na orienton drejt së ardhmes. Ai vepron si udhërrëfyes në formimin e mendimit kritik dhe të aftësisë për të argumentuar, duke na ftuar të shohim botën përtej realitetit tonë të përditshëm dhe të zhvillojmë një perceptim më të thellë dhe gjithëpërfshirës për rrethin që na rrethon. Në një epokë të informacionit të shpejtë dhe të pakontrolluar, libri mbetet një burim që kërkon angazhim, përqendrim dhe reflektim të vërtetë.