Shekerinska: Nëse dëshironi të shmangni luftën, duhet të përgatiteni për të

Duke hapur Samitin e Rinisë së NATO-s në Budva, të organizuar nga Aleanca Atlantike e Malit të Zi, zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmilla Shekerinska, tha se aleanca do të mbetet e përkushtuar në rajon, i cili ajo pret të jetë më shumë “perëndimor” sesa “ballkanik”.

Shekerinska theksoi se Ballkani Perëndimor ka rëndësi strategjike për NATO-n, por se stabilitetin në rajon e cenon retorika “nacionaliste dhe separatiste” që, sipas saj, vazhdon të dëgjohet.

“Ky rajon është i rëndësishëm për ne, por presim më shumë nga vetë rajoni në zgjidhjen e problemeve. Problemet nuk zgjidhen me urrejtje dhe ndarje, por me punë të vështirë dhe bashkëpunim”.

Ajo paralajmëroi se samiti i ardhshëm i NATO-s në Hagë, që do të mbahet në korrik, do të përqendrohet në unitetin dhe aftësinë e Aleancës për të mbrojtur të gjithë aleatët.

Sipas saj, kjo përfshin edhe rritjen e mëtejshme të investimeve në mbrojtje.

“Nëse dëshironi ta shmangni luftën, duhet të përgatiteni për të. Ne investojmë në mbrojtje sepse duam të shmangim luftën. Nëse tregojmë forcë, unitet dhe vendosmëri për të mbrojtur çdo aleat, kjo është mënyra për të shmangur luftën”, tha Shekerinska.

Ajo theksoi se shumë aleatë të NATO-s tashmë kanë tejkaluar shifrën prej 2 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm në shpenzime për mbrojtje, ndërsa vendet pranë Rusisë po investojnë edhe deri në 4 për qind, e disa prej tyre kanë premtuar edhe 5 për qind shpenzime për mbrojtje.

“Kjo tregon qartë përmasat e kërcënimit që ndiejnë të gjithë”, theksoi Shekerinska.

Përmes një video-mesazhi, pjesëmarrësve në samit iu drejtua edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i cili tha se aleanca është më e nevojshme se kurrë më parë për shkak të rritjes së pasigurisë dhe luftës në Evropë.

“Për sfidat e sigurisë me të cilat përballemi sot, na nevojiten edhe mendimet e të rinjve”.

Rutte tha se 32 vendet anëtare të NATO-s janë të përkushtuara për të mbajtur botën të sigurt.

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, vlerësoi se me anëtarësimin në NATO, vendi ka forcuar sigurinë në të gjithë rajonin. Ai shtoi se Mali i Zi është ndër vendet që tashmë ndajnë mbi 2 për qind të buxhetit për mbrojtje, dhe paralajmëroi se mund të ketë edhe rritje të mëtejshme të buxhetit për mbrojtj.

Samiti i Rinisë së NATO-s po mbahet për herë të parë në Mal të Zi dhe mbledh së bashku liderë të rinj, vendimmarrës dhe ekspertë nga fushat e sigurisë, teknologjisë kibernetike, inteligjencës artificiale dhe sektorëve të tjerë./rel