SHBA vendos taksa më të larta doganore për mallrat nga Lesoto – një nga vendet më të varfra në botë

Amerika ka vendosur tarifa doganore më të larta për mallrat që importohen nga Lesoto, një shtet i vogël afrikan pa dalje në det, për të cilin Donald Trump kishte deklaruar në mars se “nuk kishte dëgjuar kurrë”. Lesoto është një nga vendet më të varfra në botë, me një Prodhim të Brendshëm Bruto (PBB) prej pak më shumë se 2 miliardë dollarë.

Pothuajse gjysma e popullsisë së saj jeton nën kufirin e varfërisë. Në vitin 2023, PBB për frymë ishte 974 dollarë dhe pritet të rritet lehtë në 998 dollarë deri në fund të vitit 2025. Një banor mesatar i Lesotos fiton më pak se pesë dollarë në ditë.

Tani, qytetarët amerikanë që importojnë mallra nga ky shtet i vogël në Afrikën Jugore do të paguajnë një taksë shtesë prej 50% për importet.

SHBA ka një deficit të konsiderueshëm tregtar me Lesoton, i cili eksporton tekstile – përfshirë xhinse – dhe diamante drejt tregut amerikan.

Tarifa 50% u vendos si pjesë e masave të ashtuquajtura “reciproke” të presidentit Trump ndaj importeve nga dhjetëra vende, përfshirë 20 shtete afrikane. Të gjitha vendet e prekura përballen me një normë minimale doganore prej 10%.

Ministri i Tregtisë së Lesotos, Moketi Shelile, deklaroi se qeveria e tij do të dërgojë një delegacion në Uashington për të sfiduar këtë vendim.