Rutte në Odesa: NATO qëndron me Ukrainë

Bisedimet për paqe në Ukrainë “nuk janë të lehta”, por NATO qëndron me Ukrainën mes sulmeve “të egra” ruse, ka thënë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.

Rutte ka vizituar Ukrainën, ku në Odesa është takuar me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Rutte ka dënuar fuqishëm sulmin rus në qytetin ukrainas Sumy të dielën, gjatë të cilit u vranë 35 civilë.

“Populli i Ukrainës meriton një paqe të vërtetë, siguri të vërtetë në vendin e tyre. Në shtëpitë e tyre”, ka thënë Rutte.

Ai ka konfirmuar se “NATO qëndron me Ukrainën”.

“E di se disa e kanë vënë në pikëpyetje mbështetjen e NATO-s në muajt e fundit. Por, le të mos ketë asnjë dyshim. Mbështetja jonë është e palëkundur. NATO vazhdon të ofrojë mbështetje politike e praktike për Ukrainën, duke ofruar ndihmë dhe trajnime për sigurinë përmes komandës sonë në Wiesbaden…Për më tepër, në vetëm tre muajt e parë të vitit 2025, aleatët e NATO-s kanë premtuar tashmë më shumë se 20 miliardë euro ndihmë sigurie për Ukrainën këtë vit. Përkushtimi ynë është i qartë dhe konkret”.

Rutte ka thënë se bisedimet që presidenti i SHBA-së, Donald Trump po i zhvillon me Ukrainën dhe Rusinë, duke tentuar t’i japë fund luftës, “nuk janë të lehta”.

“Por, ne të gjithë mbështesin shtytjen e presidentit Trump për paqe”, tha Rutte.

Aleatët tjerë, si Franca e Britania e Madhe, janë të gatshëm dhe të aftë të mbajnë më shumë përgjegjësi për të ndihmuar në sigurimin e një paqeje kur të vijë koha, tha Rutte.

“Pra, në lejoni t’i them përsëri popullit të Ukrainës. Ne qëndrojmë me ju”, tha Rutte.