Reali i Madridit dhe Barcelona po i afrohen fundit të sezonit duke luftuar për absolutisht çdo trofe. Shortet e Champions League dhe Kupës së Mbretit mund t’u dhurojnë tifozëve të futbollit një skenar historik, ku të dy klubet do të përballen drejtpërdrejt për tre titujt më të rëndësishëm.
Beteja për La Ligën
LEXO EDHE:
Loris Karius, futbollisti më fatkeq, mbyll sezonin me Schalken
Skuadra e Ancelotti-t dhe ajo e Flick-ut po zhvillojnë një duel të ashpër për La Liga-n, të ndara me vetëm tri pikë pas 29 javësh. Dështimet e njëpasnjëshme të Atletico Madridit i kanë larguar ‘Los Colchoneros’ nga gara për kreun, por matematikisht nuk janë jashtë lojës.
Një moment vendimtar do të vijë më 11 maj, kur Barça dhe Reali do të përballen në Montjuïc, në një ndeshje që vlen më shumë se tri pikë. Përveç kësaj sfide, Barça ka përpara përballje të vështira si ndaj Betisit dhe Athletic Bilbaos jashtë fushe. Nga ana tjetër, Reali duhet të përballet me Valencian, Sevillan, Athletic Bilbaon dhe Real Sociedadin, mes të tjerash.
Një finale historike në Champions?
Në Champions League, fati dhe shorti kanë krijuar mundësinë për një El Clásico në finalen e madhe – diçka që nuk ka ndodhur kurrë më parë. Para se të ndodhë kjo, Reali duhet të eliminojë Arsenalin, ndërsa Barça do të ketë përballë Borussia Dortmundin.
Sipas Opta-s, mundësia që Reali të arrijë në finale është vetëm 26%, ndërsa shanset për të fituar Championsin janë 13.6%. Nga ana tjetër, Barça është ekipi favorit sipas ‘The Analyst’, me 80% shanse për të kaluar në gjysmëfinale, 41.5% për të luajtur finalen dhe 20.4% për të ngritur trofeun.
Kupa e Mbretit, verdikti jepet më parë
Para Championsit, do të vendoset fati i Kupës së Mbretit. Reali përballet të martën me Real Sociedadin në Bernabéu, duke mbrojtur një avantazh minimal nga ndeshja e parë. Ndërkohë, Barça përballet me Atleticon në Metropolitano, në një sfidë që do të jetë si një finale për ekipin e Flick-ut, pas barazimit në ndeshjen e parë.
Një fundsezoni që premton spektakël
Asgjë nuk është vendosur ende, por ky sezon mund të dhurojë një luftë titanësh mes Realit dhe Barçës për tre tituj madhorë. Një skenar i tillë do të ishte i jashtëzakonshëm për tifozët e futbollit, por ndoshta një provë e vështirë për zemrat e tifozëve të dy ekipeve. Në fund, fusha do të vendosë fituesin.