Bekim Qoku
Elektorati i PDSHsë, përfshirë ai i të gjithë atyre partive që dolën nga matrica e kësaj partie dhe kanë po atë konstruksion mendor politik, që është vënë përballë PPD-së në fillim dhe BDIsë më vonë, ky elektorat që përbën gjysmën e totalit, ka mbetur pa orientim apo bosht politik qysh prej nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Politikisht dhe historikisht, mendimi politik i PDSHsë nuk e pranoi kurrë këtë Marrëveshje, madje e shpalli atë për të vdekur dhe propozoi marrëveshje të re.
Pas largimit të Arbën Xhaferit nga politika aktive, mori fund përfundimisht përpjekja serioze për ta udhëhequr këtë elektorat në një rrugë të sigurt konkurruese me BDI-në. Ai u la në duart e drejtuesve krejtësisht të rastësishëm.
Këta drejtues të partive politike të dala nga matrica PDSH, parti si RDK, BDSH, Demokracia e re, LRPDSH, ASH etj. kanë qenë pa projekt serioz politik. Kanë vepruar si pa kokë. Partitë e tyre ata i themeluan si reagim dhe pakënaqësi nga mënyra autoritare sesi Menduh Thaçi e drejtonte partinë. Por jashtë kësaj, asnjëri nuk diti t’i udhëheqë shqiptarët ndryshe nga ç’parasheh MKO. Nuk i dhanë bindshëm përgjigje pyetjes Quo vadis shqiptarët e MV.
Kjo rrugë pa cak historik, kjo qasje pa orientim teorik, detyrimisht i reduktoi këta parti dhe drejtues partishë në politikbërje taktike, konjukturale dhe gjithmonë pragmatike në kuptimin më negativ të kësaj fjale. Koncepti i politikes për ta u shndërrua në tezgë pazari. Qëllimi i vetëm për të qenë në pushtet, vetëm për të punësuar partiakë, për të fituar tenderë për të përfituar si parti e si klane, i bëri kollaj të korruptueshëm dhe i korruptoi në mënyrë të pashmangshme.