Pushimet në Maldive për tu harruar për ish-yllin e kombëtares italiane, përfundon në spital me maskë oksigjeni

“Pashkë për t’u harruar për Christian Vierin”, i cili ndau në rrjetet sociale disa video me maskë oksigjeni dhe i shtrirë në një krevat spitali. Ish-sulmuesi, sot 51 vjeç, ishte me pushime në Maldive me bashkëshorten e tij, Costanza Caracciolo, dhe dy vajzat e tyre. Ishujt tropikalë janë një nga destinacionet e tyre të preferuara për pushime, por këtë vit, mes plazheve dhe restoranteve, u desh të vizitonin edhe spitalin.

Ngjarjen e ka rrëfyer vetë Christian Vieri përmes rrjeteve sociale. “Të gjithë më pyesin si jam,” tha ish-bomberi, duke treguar se ndihej keq që përpara se të nisej.

“Kisha kollë dhe dhimbje në eshtra. Atëherë thashë, do marr një ilaç kundër dhimbjes për dy a tre ditë dhe do më kalojë.” Por situata përkeqësohej dhe kolla sa vinte e shtohej.
“Shkova te mjeku, më dëgjoi mushkëritë dhe më tha se e majta ishte në rregull, por e djathta fishkëllente pak. I thashë, ‘penallti?’ dhe qeshi edhe mjeku.”

Mjeku i përshkroi antibiotik dhe për tre ditë Vieri qëndroi në Maldive me kollë. “Pushimet përfunduan, deti vetëm një apo dy ditë, kthehemi në shtëpi. Shihemi në Milano”.

Në rrjetet sociale kanë mbetur vetëm disa foto në ujin kristal të Maldiveve. “Pak vaj dhe jemi gati”, kishte shkruar ai, përpara se të përfundonte në spital dhe të zëvendësonte kremin e diellit me antibiotikët.

“Ka qenë vërtet shumë keq, këto pushime i ka kaluar në shtrat,” tregoi Costanza Caracciolo, e cila ndau në rrjetet sociale foto të ditëve të kaluara buzë detit me fëmijët, të cilët arritën të shijonin vendin e ëndrrave ku ndodheshin.

“Menduam që me diellin dhe detin e Maldiveve do t’i kalonte kolla, por përkundrazi, u përkeqësua,” shtoi ajo.
Sapo të kthehet në Itali, me siguri Christian Vieri do të kryejë kontrolle të mëtejshme me mjekun e tij për të verifikuar gjendjen shëndetësore dhe për të kuptuar shkakun e problemit dhe fishkëllimës në mushkëri që ai përshkroi.