Propozim i ri për armëpushim në Gaza: Hamasi sinjalizon gatishmëri për marrëveshje

Një zyrtar i lartë palestinez, i njohur me negociatat për armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit, ka deklaruar për BBC se ndërmjetësit nga Katar dhe Egjipt kanë paraqitur një propozim të ri për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza.

Sipas zyrtarit, plani përfshin një armëpushim që do të zgjaste nga pesë deri në shtatë vjet, lirimin e të gjithë pengjeve izraelite në këmbim të burgosurve palestinezë, një fund formal të luftës, si dhe tërheqjen e plotë të Izraelit nga Gaza.

Një delegacion i lartë i Hamasit, i udhëhequr nga kreu i këshillit politik, Mohammed Darwish, dhe negociatori kryesor Khalil al-Hayya, pritet të mbërrijë në Kajro për të zhvilluar bisedime me ndërmjetësit.

Ky zhvillim vjen pak pas refuzimit nga Hamasi të një propozimi izraelit që kërkonte çarmatosjen e Hamasit në këmbim të një armëpushimi gjashtëjavor. Të shtunën, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu përsëriti qëndrimin e tij se lufta nuk do të përfundojë pa shkatërrimin e Hamasit dhe kthimin e të gjithë pengjeve.

Ndërkohë, zyrtari palestinez tha për BBC se Hamasi ka sinjalizuar gatishmërinë për të dorëzuar qeverisjen e Gazës një enti palestinez të pranuar në nivel kombëtar dhe rajonal — si Autoriteti Palestinez (PA) apo një strukturë e re administrative.

Megjithatë, Netanyahu ka përjashtuar çdo rol të Autoritetit Palestinez në administrimin e ardhshëm të Gazës, e cila ka qenë nën kontrollin e Hamasit që nga viti 2007.

Izraeli deri më tani nuk ka komentuar zyrtarisht mbi propozimin e ri të ndërmjetësve.